Vlorë/ Dogan: Anijet Luftarake Turke, Pjesë E Partneritetit Me Vendet E Aleancës
VLORË, 22 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Dy fregata turke "Turgutreis" F241 dhe "Gaziantep" F490 të Marinës Luftarake të Turqisë u ankoruan sot në portin e Vlorës.
Mjetet lundruese janë pjesë e grupit prej 5 anijesh luftarake turke që mbërritën sot në Shqipëri, tre prej të cilave u ankoruan në portin e Durrësit.
Një një konferencë për shtyp që dhanë drejtuesit e këtyre anijeve sot pasdite, bënë të ditur se grupi i anijeve që ndodhen në Mesdhe ka synim bashkëpunimin me vendet mike, pjesë e strukturave të NATO-s. "Në kuadër të Aleancës dhe partneritetit me vende mike, misioni i mjeteve luftarake ka konsistuar ndër të tjera në ndalimin e trafiqeve të paligjshme, por edhe mbështetjen për çdo gjendje të jashtëzakonshme në vendet anëtare të NATO", theksoi në këtë konferencë komandanti i dy fregatave, Kapiten i Rangut I, Faruk Dogan.
Ai tha se janë dhjetë shtetet që organizojnë vizita portuale në kuadër të një bashkëpunimi me strukturat ushtarake të flotës turke, ku anijet e mësipërme kanë regjistruar deri tani 9 vizita portuale.
"Gjithashtu, në bazë të një programi të mirëpërcaktuar me vendet partnere, grupi organizon edhe stërvitje të përbashkëta", theksoi Dogan.
Komandanti i Fregatës "Gaziantep" dhe njëkohësisht edhe grupit të fregatave, Kapiteni i Rangut I, Faruk Dogan, tha se anijet do të jenë të hapura edhe për vizita nga komuniteti. Ato do të qëndrojnë për tri ditë në qytetin e Vlorës. Gjatë këtyre ditëve ekuipazhi do të vizitojë qytetin bregdetar të Vlorës, si dhe do të marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta kulturore-sportive.
Sot drejtues të anijes patën takime edhe me drejtues të pushtetit lokal në Vlorë, mes të cilëve edhe me Prefektin e Qarkut, Hasan Halili.
Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë vendosi lejimin e mjeteve luftarake turke në ujrat territoriale dhe portet e vendit./s.s./