English

Vlore: Prefekti Halili Pret Perfaqesuesit E Anijeve Luftarake Te Marines Turke

VLORE, 22 qershor/ATSH-H.Koçi/.- Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili priti sot përfaqësues të dy anijeve luftarake të marinës Turke, të cilat u ankoruan mëngjesin e sotëm në një nga kalatat e portit të Vlorës, në kuadër të një vizite tre-ditore në Shqipëri. Duke uruar mirëseardhjen, Halili ofroi gjithë mbështetjen e nevojshme për ta dhe duke vënë në dukje miqësinë tradicionale që ekziston mes dy popujve tanë, shprehu besimin se dhe vizita e dy anijeve të marinës së Turqisë, do t'i shërbejë forcimit të mëtejshëm të saj. Kapiten Faruk Dogan, komandant i dy anijeve luftarake turke u shpreh se qëllimi i ardhjes dhe ankorimit të dy anijeve në portin e Vlorës dhe tre të tjerave që janë ankoruar në Durrës është patrullimi i zonës së Mesdheut. "Ne kemi ardhur këtu në funksion të qëllimit për patrullimin e Mesdheut, që e bëjmë me mbështetjen edhe të vendeve të tjera të Aleancës", tha Dogan, që bëri të ditur gjithashtu se para mbërritjes në Shqipëri, mjetet e Marinës Turke kanë bërë stërvitje të përbashkëta me vende të tjera, në përmbushje të qëllimit të patrullimit të Mesdheut nga çdo ngjarje. Kapiten Faruk Dogan theksoi se në portin e Vlorës ka kushte shumë të mira ankorimi dhe sigurie. Në orët në vazhdim, pritet që mjetet e Marinës së Turqisë, të vizitohen nga autoritetet vendore. Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi lejimin e këtyre mjeteve në ujrat territoriale dhe në portet e Shqipërisë./n.m/
KOMENTE