Berisha: Bibliotekat E Shkollave Të Pasurohen Me Vepra Të Korifejve Të Letrave Shqipe
TIRANË, 23 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, që bibliotekat e shkollave të pasurohen me vepra të korifejve të letrave shqipe.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë u ndal te fondi i përvitshëm që përfitojnë bibliotekat e shkollave, ku sipas tij "është e domosdoshme që aty të gjenden veprat e korifejve të letrave shqipe, që nga rilindasit e deri te letërsia bashkëkohore shqiptare".
"Bibliotekat e shkollave duhet të kenë veprat e Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit dhe vepra të tjera të shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë që kanë fituar një publik të gjerë jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit", tha Kryeministri Berisha.
Ai kërkoi gjithashtu që bibliotekat e shkollave të pasurohen me veprat e Lasgush Poradecit, Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Naim Frashërit, Andon Zako Çajupit etj, kollosë të letërsisë shqipe.
Kreu i Qeverisë theksoi se mjaft të rëndësishme janë edhe përkthimet e tyre, në të cilat shpesh spikat gjinia e tyre krijuese. "Ne duhet të bëjmë një betejë të madhe që libri të udhëheqë të gjithë procesin e pasurimit të gjuhës", tha Kryeministri Berisha. /k.sh/