Tiranë, 23 Qershor 2010 NOA - Shtëpia botuese “Argeta LMG” sapo ka hedhur në qarkullim librin “Sali Nivica- publicistikë” të autorit Eqber Skëndaj. Autori i librit në faqet hyrëse të librit thotë se “jam nisur nga dëshira e mirë e si një detyrim për të realizuar këtë punim, si pjesë e rrënjës së trungut tim familjar.
Kjo figurë poliedrike kërkon një penë të fuqishme për të trajtuar e realizuar larminë e problemeve që ai shtroi për zgjidhje; indipedencën e plotë të Shqipërisë, tërësinë tokësore, format e shtetit, diplomacinë, kryengritjet e mëdha, arsimin, gjuhën, historinë, publicistikën, et.
Kjo histori jete e vendit tonë që Sali Nivica trajton është një roman që jetohet.
Materiali është shumë i shpërndarë e për vetë periudhën historike që ai militoi (1909-1920), është edhe pjesërisht i humbur. Prandaj disa prej krijimeve të tij nuk gjenden në këtë vëllim.
Materiali është trajtuar në mënyrë problemore, por brenda tematikës kronologjike duke ruajtur origjinalitetin e shkrimeve të tij.
Libri ndahet në disa pjesë. Në pjesën e parë bëjnë pjesë kapitujt:
Vendlindja
Fëmijëria
Në Manastir e në Janinë
Në vendlindje.
Pjesa e dytë përmban:
Në vend të studimit
Aktivist i shquar për çështjen kombëtare
Kryengritjet e mëdha 1910-1912
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare”
Drejtor i gazetës “Populli”
Qendrimi për tërësinë tokësore
Problemet për gjuhën dhe shkollat shqipe
Përrallat
Kryengritja e fshatarësisë në Shqipërinë e Mesme
Vlerat dhe karakteri
Pjesa e tretë ka rreth 120 publicistika të shkruara në kohë dhe për çështje të ndryshme.
Kanë thënë për Sali Nivicën
Kadri Prishtina: Ai yll që perëndoi ishte personifikim i cquem i delikatesës dhe i pastërtisë së gjuhës sonë kombëtare. Këtë humbje nuk do ta verë në vend as një e katërta e shekullit.
Hamit Gjylbegu: Sali, shqiptarët në lamë të lirisë i prinë.
Jonuz Tafilaj: Sali- si Çezar në Romë zotnoi (mbretëroi).
At Gjergj Fishta: Saliu ishte portë e shtyllë, a thua nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze tëe mëdha pa mujtë me e bremum kërkund.
Djalëria e Lezhës: Sali, na ndrite për me na çue në rrugë të përparimit.
Intelektualët e Kosovës: Saliu deri sa të rrojë atdheu ynë bashkë më dëshirën kombëtare, do të rrojë në zemrat tona. Këtë humbje nga mezi i jonë e quajmë një mënxyrë kombëtare dhe e qajmë me lot plo gjak.
Prof. Skënder Luarasi: Saliu kur fliste për çështje kombëtare dridhej i tëri si purtekë.
Luigj Gurakuqi: Saliu ishte intelektuali më i aftë dhe më konseguent i kohës.
Fatime Hoxha Prishtina: Qiriri nuk u shua kurrë në zyrën ku punonte Saliu.
Veli Hodaj: Sali Nivica ishte Migjeni i publicistikës shqiptare në vitet 1909 – 1920.
Kush është autori i monografisë
Eqber Muharrem Skëndaj ka lindur në Rexhin të Kurveleshit më 1938. Ka kryer studimet e larta ushtarake dhe fakultetin e Drejtësisë. Ka shkruar në shtypin e përditshëm për figura historike kombëtare. Më 1976 ka botuar monografinë e Shuko Dalipit, në 1980 ka botuar monografinë e Sali Nivicës, ndërsa në 1992 ka botuar monografinë për Kadri Prishtinën.
r.n/NOA