English

Edi Rama flet nga Nju Jorku: Kriza i ka rrënjët tek zgjedhjet e shkuara

Nju Jork, 23 Qershor 2010 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka folur sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi zhvillimet në vend dhe theksoi se, “Shqipëria përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara, por, nga ana tjetër, është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë, ka politizuar e paralizuar drejtësinë, ka hyrë në ekonominë e të dhënave e të shifrave të gënjeshtërta”.

Deklarata e Ramës, u bë pak pasi mbylli punimet Këshilli i Internacionales Socialiste, i cili u mbajt në Nju Jork në datat 21-22 qershor.

Në këtë forum të lartë të socialistëve e progresistëve nga mbarë bota, Partia Socialiste përfaqësohej nga një delegacion i nivelit të lartë kryesuar nga kryetari Edi Rama.

Në punimet e ditës së dytë të këtij Këshilli, Rama mbajti një fjalim para qindra delegatëve, duke falënderuar së pari Presidentin e Internacionales dhe njëkohësisht kryeministrin grek, George Papandreu, për iniciativën për integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Europian brenda vitit 2014.

Në fjalimin i Edi Ramës në Këshillin e Internacionales Socialiste mbajtur në Nju Jork, Rama tha se një sistem kushtetues europian, me zgjedhje të standardeve normale për Europën demokratike, me drejtësi të pavarur e media të lirë, me parlament e qeveri transparente, të drejta pronësore të garantuara dhe kapacitete administrative profesionale e të çliruara prej përkatësisë politike, është një sfidë e hapur, por gjermëtash larg së qeni e fituar në funksion të projektit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Dua sot të ndaj me ju bindjen se e majta progresive është forca e duhur për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të integrimit si sfidë e demokratizimit dhe modernizimit të shtetit e shoqërisë në hapësirën e këtij rajoni”, - theksoi Rama duke shtuar se “sigurisht nuk është e lehtë, madje është tejet e vështirë”.

Më tej Rama tha se “sot Shqipëria përballet me një krizë aspak të thjeshtë politike, e cila i ka rrënjët në zgjedhjet e shkuara, por, më anë tjetër, është vetëm maja e ajsbergut të një krize që ka prekur funksionet e demokracisë, ka politizuar e paralizuar drejtësinë, ka hyrë në ekonominë e të dhënave e të shifrave të gënjeshtërta’.

Rama ka folur dhe për zhvillimet ekonomike në vend dhe rajon: “Ne i shohim me shqetësim të madh vështirësitë e popullit vëlla grek në situatën e sotme ekonomike dhe e admirojmë kryeministrin e Greqisë e qeverinë e tij, për kurajën mbresëlënëse me të cilën po e përballojnë krizën e rëndë”.

Kurse shtoi: “Por s’mund t’ua fsheh se në ndërkohë ndjehemi tejet të shqetësuar për atë çka mbahet mbyllur në errësirën e mungesës së informacionit nga qeveria shqiptare lidhur me gjendjen reale të ekonomisë së vendit tonë. E cila ka dhënë shenja të qarta, alarmante, rënieje, ndërkohë që shqiptarëve u thuhet e kundërta dhe u fshihet kokëfortësish e vërteta”.

a.b/r.n/NOA

KOMENTE