English

Ekon-Rritja E Pagave Dhe Pensioneve, Pozitive Në Kushtet E Krizës Financiare Globale

-Deklaron për ATSH-në eksperti i ekonomisë, Ardian Civici- TIRANE 23 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- ATSH: Si e gjykoni hapin e fundit të Qeverisë për të emetuar një bono në tregun e brendshëm ? A. Civici: Qeveria ka nevojë për një borxh të ri në euro ose në lekë dhe ne prej disa muajsh u bëmë gati të dilnim në tregun e eurobondeve dhe miratuam edhe normën e interesit që ishte 7.5 %. Por fatkeqësisht u vonuam disa javë dhe gjithë masat përgatitore për të dalë në këtë treg, kur ai ishte më normal dhe megjithë se kishim edhe garancinë dhe asistencën e dy bankave nga më të mirat në botë, që do të menaxhonin dhe administronin borxhin, përsëri na kapi faza e kulmit të krizës greke, e shpërthimit të saj dhe faza e diskutimeve për qëndrueshërinë dhe paqëndrueshmërinë e euros. Gjithë debatet që u bënë i bëri tregjet ndërkombëtare financiare shumë nervoze dhe mosbesuese dhe me shumë dyshime përsa i përket vendeve, që në vlerësimin e kompanive ndërkombëtare të vlerësimit, siç është Modyy and Poor etj, kishin vlerësime më poshtë se sistemi A, B, B+, çka nënkupton edhe vende me risk të lartë spekulativ dhe për pasojë edhe përqindja e interesit të eurobondeve për këto vende u bë shumë e lartë dhe e kaloi 8 %. Ndërkohë vende si Greqia apo edhe vende të tjera, duke qënë shumë në nevojë për t'i marrë këto lloj të ardhurash në euro, pranuan çdo lloj interesi të ofruar thjesht për të kaluar situatën e vështirë, kështu që tregu i eurobondeve në tregun financiar nga njëra anë kishte dyshimet e tij dhe kishte shumë luhatshmëri dhe nevorzitet. Nga ana tjetër, nuk kishte aq shumë likuiditet sa mendohej. Vende si Greqia, Gjermania apo Franca, që kishin përqindje më të ulëta interesi, përfituan nga ky moment për t'i marrë eurobondet e tyre me çmime më të ulëta, por shumë më të garantuara. Kështu Shqipëria u gjend në një situatë nga më të vështirat në tregjet financiare dhe nuk mundi të realizojë eurobondin. Në pamundësi për të realizuar këtë eurobond, mesa duket edhe për disa muaj situata nuk është shumë e favorshme që të realizojmë atë përqindje që ne mendojmë, qeveria do t'i drejtohet tregut të brendshëm pë të marrë një borxh, qoftë në euro, qoftë në lekë në formën e bonove të thesarit dhe mesa duket, duke filluar që në ditët në vazhdim do të jetë kërkesa e parë në euro në një shumë prej 25 milionë eurosh. Ka një gatishmëri të bankave për t'i dhënë qeverisë këtë borxh për faktin se bonot e thesarit janë investimi më i sigurtë që mund të bëjnë bankat, më pa rrezik dhe më i garantuari, kështu që në çdo vend të botës bankat tregtare, apo ato që njihen si banka të nivelit të dytë, janë shumë të prirura që nëse qeveria kërkon borxh t'ia japin. Këtu ka dy elemente që duhen diskutuar, së pari: ne kemi një situatë pozitive të depozitave, nëse i referohemi tronditjes që pësuan depozitat në Shqipëri në periudhën tetor-dhjetor 2009, ku një pjesë e madhe e tyre doli nga sistemi, pasi njerëzit i tërhoqën nga frika e krizës. Fundi i 2009 dhe 6-mujori i parë i vitit 2010 ka një rikthim të ndjeshëm të depozitave në sistem, duke i shtuar ato me rreth 35 %, çka tregon se sistemi bankar shqiptar ka rezervat e nevojshme për t'i dhënë këtë borxh qeverisë. Nga ana tjetër, dihet që çdo lloj borxhi që merr qeveria në tregun e brendshëm është një kufizim që ka gjithë sistemi i kreditit që ka për individët dhe bizneset, të cilët kreditojnë bankat. Kështu që, pavarësisht nga fakti që bankat deklarojnë se kanë likuiditet të bollshëm dhe do ta japin këtë bono, gjithsesi kredia që do të jetë në dispozicion të individit dhe biznesit nuk ka si të mos preket nga kërkesa e brendshme e qeverisë për borxh, pasi ky sistem është si parimi i "enëve komunikuese", nëse merr në një vend, pakësohet në vendin tjetër. Mendoj se qeveria duhet të jetë e kujdesshme në sasinë që do të marrë, nga njëra anë të plotësojë nevojën që ka, por nga ana tjetër të mos shkaktojë presione në sasinë e kredive që janë për individët dhe bizneset. Theksoj këtë fakt, sepse duke analizuar rritjen ekonomike të Shqipërisë, burimi kryesor i rritjes ekonomike të paktën në masën 60-70% ka ardhur nga kredia bankare dhe ndoshta ne nuk u prekëm aq sa mendohej nga kriza është pikërisht për faktin se sistemi bankar shqiptar u tregua i qëndrueshëm dhe i shëndoshë sidomos në peridhën 2008-2009, duke vazhduar me gjithëse me ritme më të ulëta rritjeje dhënie të kredive për individët dhe biznesin. Kështu që, duke parë se sa e varur është rritja ekonomike në Shqipëri nga sistemi i kreditimit, është mirë që të jemi të kujdesshëm që të mos frenojmë këtë sistem kreditimi për sektorin privat, sepse kjo mund të shkaktojë edhe efekte te niveli i rritjes ekonomike që presim. ATSH: Ministri i Financave, por së fundmi edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i bënë thirrje sistemit bankar në vend të ulë normën e interesit për kreditë. A mendoni se bankat realisht do të reflektojnë në këtë drejtim? A.Civici: Ky është një debat që zhvillohet në të gjithë vendet e botës, sidomos në këtë periudhë krize sepse në fund të fundit norma bazë e interesit, që është pjesë e politikës monetare që bën Banka e Shqipërisë, përkthehet me fjalë të tjera, kosto e parasë ose çmimi i parasë. Sa më e ulët të jetë çmimi dhe kosto e parasë në qarkullim, kuptohet menjëherë kjo do të reflektohet në përqindje të interesit të kredive apo shërbimeve të tjera të tregut bankar që bëhen në Shqipëri, përfshirë këtu edhe koston e investimeve. Është normale që çdo herë që ka një ulje të normës bazë të interesit tregu bankar ndoshta me 6-12 muaj vonesë reagon, duke iu përgjigjur kësaj tendencë. Në rastin e Shqipërisë megjithëse ka një përmirësim të reagimit të bankave karshi normës së interesit dhe politikës monetare të BSH-së, përsëri ka një diferencë të pashpjegueshme midis normave të ineteresit dhe përqindjeve të fitimit që kanë bankat me normën bazë të interesit spo politikën monetare. Kështu që edhe kërkesa e ministrit të Financave është më shumë për Bankën Qendrore, për të parë mundësinë nëse norma bazë e interesit mund të ulet akoma më shumë, por mbi të gjitha reagimi i fundit i Guvernatorit ishte në sensin që bankat e nivelit ë dytë duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të reagojnë më pozitivisht dhe direkt karshi politikës monetare të BSH-së Nëse ato do të reagojnë në këtë sens priten efekte pozitive përsa i përket normave të interesit dhe shërbimeve të sektorit bankar në Shqipëri./s.s./
KOMENTE