English

Elbasan: Prezantohet Nje Projekt Për Nxitjen E Punësimit Të Të Rinjve

-Iniciative e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" dhe Universitetit të Bolonjës në Itali- ELBASAN, 23 Qershor/ATSH/- Miranda Sadiku/ - Një projekt që synon të nxisë punësimin e të rinjve në sektorin shtetëror ose atë privat pas përfundimit të shkollës së lartë, u lançua sot në Elbasan, me iniciativën e Universitetit "Aleksandër Xhuvani" dhe Universiteti të Bolonjës në Itali. Projekti në fjalë u prezantua në një tryeze të rrumbullakët, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve shtetërore të qytetit, biznesit, Drejtorisë Rajonale të Arsimit etj. "Projekti ka si qëllim nxitjen e punësimit të studentëve në institucionet shtetërore dhe firmat private, që ushtrojnë aktivitete të ndryshme biznesi në qytetin e Elbasanit", tha profesor Armando Shingjergji, një nga ideatorët e projektit. Sipas tij, ky objektiv arrihet vetëm duke përmirësuar kurrikulat e Universitetit në mënyrë të tillë që të jenë sa më objektive. Ndërsa, profesori italian Massimo Bianchi, shprehu rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se ajo duhet parë me përparësi jo vetëm nga shkollat dhe Universiteti, por edhe nga insitutucionet shtetërore dhe bizneset private. "Është e rëndësishme që sistemet drejtuese rajonale shtetërore dhe private të kenë një bashkëpunim me Universitetin si edhe Qendrën e Formimit Rajonal Profesional për të bërë të mundur punësimin e këtyre studentëve", nënvizoi profesori italian. Pjesmarrësit në takim vlerësuan edhe efektet e dhëna nga projekte të mëparëshme si, ai i realizuar me ndihmën e Rajonit Emiglia Romania për trajnimin e dhjetë vajzave në fushën e kulturës së qytetit, apo trajnimin e shumë të rinjve në fushën e mekanikës, për t'i ndihmuar ata që të punësohen në uzina apo pika të ndryshme servisi. Ky projekt do të rrisë mundësitë e punësimit të të rinjve që përfundojnë studimet në Universitetin " Aleksandër Xhuvani", nga ku diplomohen cdo vit mbi 1 mijë studentë, ku vetëm 10 përqind e tyre arrijnë të punësohen në instutucione shtetërore apo firmat private. /a.m//a.ke/
KOMENTE