George Soros: Politika Gjermane Është Një Rrezik Për Evropën
BERLIN, 23 qershor /ATSH-AFP/ - Miliarderi amerikan Georges Soros e cilëson "politikën gjermane një rrezik për Evropën" që "mund të shkatërrojë projektin evropian", në një intervistë që publikohet të enjten në Gjermani.
"Gjermania sillet sikur traktati i Mastrihtit të ishte një dokument i shenjtë", theksoi në këtë intervistë për të përjavshmen "Die Zeit" amerikani me origjinë hungareze, i cili njihet si person që ka bërë pasuri duke spekuluar me valutat.
Por, në prirjen e saj të ashpër ndaj rreptësisë buxhetore "Gjermania është izoluar në shkallë botërore", shprehet Soros dhe "politika gjermane është një rrezik për Evropën, ajo mund të shkatërrojë projektin evropian".
Komentet e Sorosit, i cili jep një konferencë në Berlin të enjten, bëhen në mes të një debati ndërkombëtar për politikën ekonomike, pasi Gjermania, ashtu si dhe disa vende të tjera evropiane, ka njoftuar për zbatimin e një politike të rreptë ekonomike për rimëkëmbjen e financave publike, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për të privilegjuar mbështetjen për rritjen ekonomike.
"Kreditorët e botës, sidomos Gjermania dhe Kina, duhet të ndihmojnë gjithashtu në daljen nga kriza", theksoi Soros, duke u bashkuar me qëndrimin e presidentit amerikan Barack Obama.
Por, miliarderi e mbështet Gjermaninë për domosdoshmërinë e rregullimit të tregjeve financiare dhe shprehet në favor të parimit të një takse për transaksionet financiare, që Parisi dhe Berlini do t'ua propozojnë partnerëve të G20-s që do të mblidhen në Kanada duke filluar nga e shtuna.
"Kjo nuk do të jetë domosdoshmërisht një gjë e keqe nëse do të ketë më pak likuideitete në tregje", deklaroi ai.
Soros, pronar i një fondi investimesh spekuluese (hedge fund), është shprehur disa herë në favor të një regullimi më të rreptë të tregjeve financiare, sidomos në një vepër të publikuar muajin e kaluar.
/I.Pu.