Gjykata E Korçës: "Arrest Ne Shtepi" Për Dy Zyrtarët E Dyshuar Për Korrupsion
KORÇË, 23 Qershor/ATSH- Behar Fejzulla/ . - Gjykata e rrethit të Korçës caktoi sot masën e sigurisë së "Arrestit në shtëpi" për kancelarin e kësaj gjykate, Shkëlqim Kajmaku dhe shefin e personelit të Burgut të Korçës, Arben Hoxha, të cilët akuzohen për "Korrupsion".
Në seancën e zhvilluar sot për vlerësimin e masës së arrestit ndaj tyre, përfaqësuesi i prokurorisë së Korçës, Elison Sadiku, kërkoi masën e "Burgimit pa afat" ndaj dy të pandehurve. Por, kërkesa e tij nuk u miratua nga gjyqtarja Miljana Muça, e cila caktoi një masë më të lehtë sigurie, atë të "Arrestit në shtëpi" ndaj tyre.
Kancelari i Gjykatës së Korçës, Shkëlqim Kajmaku dhe shefi i personelit të Burgut në Korçë, Arben Hoxha, u arrestuan para tre ditësh me akuzën e "Korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike, të kryer në bashkëpunim". Ata akuzohen se i kanë marrë një shtetasi një shumë prej 500 mijë lekë të reja në këmbim të nxjerrjes së një vendimi gjyqësor, vendim të cilin e kishte nxjerrë kancelari i Gjykatës, Kajmaku.
Forcat e policisë i sekuestruan dy të dyshuarve shumën e parave. /a.m//a.ke/