Greqi - Militantë Komunistë Pengojnë Nisjen E Anijeve Nga Pireu
ATHINË, 23 qershor /ATSH-AFP/ - Militantë komunistë grekë bllokuan sot në mëngjes në portin e Pireut, pranë Athinës, nisjen e pesë trageteve me destinacion Cyclades, duke bllokuar në porte qindra pasagjerë dhe turistë, njoftoi një fotoreporter i AFP-së.
Militantët iu përgjigjën thirrjes së frontit sindikal Pame, i krijuar nga partia komuniste, e cila kërkoi zhvillimin ditën e sotme të një greve 24 orëshe në shenjë proteste kundër masave të rrepta ekonomike të cilave po u nënshtrohet vendi.
Drejtësia e gjykoi dje në mbrëmje të "paligjshme dhe abuzive" grevën për të cilën kishin bërë thirrje në këtë kuadër degët e sindikatave komuniste të marinarëve, pa miratimin e Pame-s.
Militantët u grumbulluan në port shumë herët në mëngjes, duke penguar fillimisht zbritjen e pasagjerëve të një anijeje që vinte nga Kreta. Më tej ata bllokuan pesë tragetet që niseshin për në Cyclades, ndër destinacionet kryesore turistike të vendit.
Atëherë në vendngjarje u dërguan forca policore të porteve, ndërkohë që një turmë e madhe pasagjerësh ishte bllokuar në port, madje disa po kundërshtonin me forcë manifestuesit.
Këto lloj operacionesh kundërshtuese janë të zakonshme për sindikatën Pame e cila i ka shtuar ato që kur qeveria socialiste greke është angazhuar për zbatimin e një plani të rreptë ekonomik në këmbim të ndihmave të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shpëtuar vendin nga falimentimi.
/I.Pu.