Kurse Kryetarja e Kuvendit tha se “rezoluta e Komisionit të jashtëm të PE në mbështetje të liberalizimit të vizave, një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, që vjen si shkak i reformave të guximshme, të bëra”
Tiranë, 23 qershor, NOA I plotë – “Vendi i Opozitës është në kuvend dhe jo në rrugë. Për sa kohë Opozita do ta zhvillojë politikën e saj në kuvend atëherë Shqipëria nuk do të ketë më krizë politike”.
Kështu ka deklaruar pas takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendës presidenti i Asamblesë së OSBE-së, Wolfgang Grossruck, i cili ka mbërritur sot në Tiranë.
Kurse Kryetarja e Kuvendit tha se “rezoluta e Komisionit të jashtëm të PE në mbështetje të liberalizimit të vizave, një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, që vjen si shkak i reformave të guximshme, të bëra”.
Zëvendëspresidenti i Asamblesë së OSBE-së, Grossruck, përshëndeti edhe miratimin po sot të rezolutës për Shqipërinë nga deputetët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Zoti Gossruck dhe delegacioni që e shoqëronte atë, uroi Kryetaren e Kuvendit dhe shqiptarët për Rezolutën e Parlamentit Europian, duke theksuar se Qeveria dhe Parlamenti kanë bërë një punë shumë të madhe.
Më tej biseda u përqendrua në përpjekjet e jashtëzakonshme që Qeveria, Parlamenti dhe vetë shqiptarët po bëjnë për të përmbushur standardet evropiane, për marrjen e Statusit të Vendit Kandidat në BE, duke u ndalur veçanërisht në miratimin e muajve të fundit, të 170 ligjeve dhe marrëveshjeve në Kuvendin e Shqipërisë, për zhvillimin evropian të saj.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se jeta parlamentare në Shqipëri ecën me një axhendë intensive dhe, opozita drejton disa komisione.
Në vijim të bisedës, Zoti Gossruck bëri me dije Kryetaren e Kuvendit për nismën që Parlamenti austriak ka ndërmarrë për promovimin e Shqipërisë, ku në muajin tetor do të zhvillohet programi "Ditët e Shqipërisë.”
Duke ftuar Kryetaren e Kuvendit për të nderuar me pjesëmarrjen e saj në këtë aktivitet, deputeti Gossruck, tha se deputetët dhe institucionet austriakë janë veçanërisht të interesuar, për të promovuar Shqipërinë, dhe produktet e saj në të gjitha fushat.
Kryetarja e Kuvendit tha se "Rezoluta e Komisionit të Jashtëm të PE e miratuar sot, është lajmi më i mirë për shqiptarët, pasi ata e meritojnë lëvizjen e lirë në Evropë, në përgjigje të reformave dhe transformimeve të thella, që shqiptarët kanë bërë në një kohë kaq të shkurtër.
Po ashtu Parlamenti Europian, i kërkoi sot opozitës të japë kontributin e saj dhe të mbështesë reformën në drejtësi.
"Për shqiptarët, - tha zonja Topalli, dhe për biznesin është e rëndësishme që opozita të votojë, sikurse kërkon PE sot në rezolutën e saj, edhe ligjin për Gjykatën Administrative”.
mit/NOA