English

Gumi: Tirana Pa Plan Rregullues Në 10 Vjet Qeverisje Të Edi Ramës

TIRANË, 23 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi, deklaroi sot se "Tirana nuk ka një plan të përgjithshëm rregullues mbas 10 vjet qeverisjeje të Edi Ramës". Përmes një deklarate për shtyp, Gumi tha se "popullsia e Tiranës është mbidyfishuar dhe afërsisht po aq është rritur edhe sipërfaqja e ndërtuar". "Pa një plan të përgjithshëm rregullues ne nuk e dimë se si mund të zhvillohet një qytet, ku duhet të ndërtohet dhe me çfarë intensiteti. Ne nuk e dimë se ku duhet të jenë kopshtet dhe shkollat, sa të gjera duhet të jenë rrugët dhe sa duhet të jenë hapësirat e gjelbërta apo ambientet e tjera publike", tha Gumi. Sipas tij, "Rama nuk donte të kishte një plan rregullues, pasi një plan krijon transparencë dhe përcakton rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë". "Plani rregullues do t'i lidhte duart z. Rama dhe nuk do të lejonte që ai të kthehej në zot të qytetit, ta trajtonte Tiranën si çifligun e tij, dhe të vendoste nën kontroll industrinë e ndërtimit dhe nëpërmjet saj dhe median", tha Gumi. /s.s./
KOMENTE