English

Hillari Klinton, ngre çështjen e Klodit të Big Brother në Departamentin e Shtetit

Uashington, 23 qershor, NOA - "Në Shqipëri, një djalë i ri, i quajtur Klodian Çela kohët e fundit doli në një program televiziv popullor të quajtur Big Brother dhe shumë shpejt, ambasadori ynë atje, John Uithers, doli në televizion për të shprehur publikisht mbështetjen për këtë njeri”.

Me të tilla fjalë, sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, do të përmendte rastin e djaloshit shqiptar që deklaroi hapur prirjen e tij homoseksuale përmes një show televiziv, gjatë një fjalimi për homofobinë mbajtur në Departamentin e Shtetit.

Çështja e cila në fakt, ngjalli mjaft reagime kundërshtuese në Shqipëri, në qarqe nga më të ndryshmet, madje u shoqërua edhe me protesta e që u komentua gjatë në mediumet gazetareske, duket se është shënjuar edhe në dokumentat e Departamentin e Shtetit, si një rast ndër shumë të tjerë në botë, që hedhin dritë mbi mbrojtjen e të drejtave të personave LGBT në mbarë botën.

“Vetë ambasadori Withers shkoi në vendlindjen e tij dhe e ftoi madje gjatë një evenimenti në ambasadën tonë në Tiranë, për të përcjellë kështu te të gjithë shqiptarët idenë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin të drejtat e tij dhe respektojnë guximin që ai tregoi", komentoi më tej rastin në fjalë, sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Sipas saj, bota duhet të tregojë kujdes në respektimin e të drejtave të njerëzve homofobë, duke paraqitur SHBA-në si një vend që ka shënuar progres në drejtim të avancimit të të drejtave të amerikanëve LGBT.

“E dimë se ka ende shumë punë për të bërë, por ne jemi duke ecur së bashku në drejtimin e duhur. Dhe ne riafirmojmë angazhimin tonë për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të të gjitha qenieve njerëzore, përfshirë këtu edhe ata të komunitetit LGBT në mbarë botën”, përfundoi ai në lidhje me një koncept të tillë.

Klodi, ishte emri i djaloshit pjesëmarrës në garën televizive të Big Brother, i cili për ditë të tëra pushtoi ekranet televizive dhe mediat e shkruara, pas pohimit publik se ishte homoseksual.

Ndaj këtij fakti, pati reagime kundërshtuese, deri edhe protesta në sheshin e Lezhës nga banorë të këtij qyteti, të cilët arritën deri në kërkesën për dëbimin e familjes së tij.

n.e/NOA

KOMENTE