English

Himarë, Një Fundjave Në Plazhin E Palasës

Reportazh- VLORË, 23 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Për të shkuar në plazhin e Palasës duhet të kthehesh djathtas nga rruga kombëtare Vlorë-Sarandë, menjëherë sapo zbret kthesat e Qafës së Llogorasë. Në fakt, nga lartësia e kësaj qafe, deti dhe plazhi poshtë duken si një parajsë qiellore, e zbritur në tokë. -Rruga, një mundësi më shumë- Prej pak muajsh, segmenti që lidh rrugën kombëtare me Plazhin e Palasës, ka nisur të ndërtohet. Një vit më parë, ai ngjasonte me një "shteg dhish" dhe ishte i papërshkueshëm, me përjashtim të "fuoristradave". Tashmë, ka përfunduar faza e parë e projektit të finanuar nga qeveria dhe shtrati i rrugës është zgjeruar dhe mbushur me çakëll e zhavorr të ngjeshur. Edhe në këtë gjendje, në këtë segment me gjatësi rreth 3 km, mund të lëvizësh fare mirë me çfarëdolloj automjeti. Kjo është dhe arsyeja që ky plazh i mrekullueshëm tashmë ka nisur të frekuentohet nga pushues vendas dhe turistë të huaj. -Plazhi në fundjavë, i frekuentuar nga dhjetra pushues- Është viti i parë që ky plazh frekuentohet masivisht nga pushuesit. Megjithëse moti është i paqëndrueshëm, në një fundjavë qershori, plazhi i Palasës është 'pushtuar' pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij disa kilometërshe. Aktualisht, këtu mungon tërësisht struktura turistike. Nuk ka asgjë në këtë drejtim, madje as edhe një kioskë, ku mund të shërbehet ndonjë pije freskuese. Ata që vijnë këtu duhet të sigurojnë vetë gjithçka, ushqimet që do të konsumojnë, ujin etj. Por, kjo mungesë nuk llogaritet fare, përballë mrekullisë natyrore që ofron ky plazh shkëmbor dhe me zhavorr të imët. Gjithçka këtu është e virgjër: uji i kaltër dhe rrezëllitës i detit që të fton të qëndrosh gjithë ditën brenda tij, mjedisi pa fund me zhavorr të imët dhe guralecë, hijet e pemëve të ulta dhe shkurreve që zbresin poshtë kodrave. Fredi, një 45 vjeçar nga Elbasani, është nisur qysh herët nga qyteti i tij, për të mbërritur këtu në orën 10.00 të të shtunës. Me bashkëshorten dhe vajzën e vogël kanë ngritur çadrën shumë pranë detit dhe po shijojnë kënaqësinë që të ofron ky mjedis. "Më kishin thënë shokë dhe miq, që kishin ardhur këtu vitin e kaluar. Por ajo që po shoh, nuk mund të përshkruhet nga fjalët. Është pak të thuash "mrekulli"", thotë Fredi. Ai shpreh keaqardhjen që në këtë vend mungon gjithçka që mund të bëjë dora e njeriut, godina hotelerike, lokale etj. Por, shton ai, rruga paska filluar dhe kjo është një shenjë që ky plazh do të ndryshojë shumë shpejt. Më tej, dhjetra pushues të tjerë kanë ngritur çadrat që kanë marrë me vete, ndërkohë që një pjesë kanë shfrytëzuar rrëzat e shkëmbinjve që zbresin mrekullisht deri në ujë. Ndërkohë, të rinj të pasionuar pas fluturimeve, ushtrojnë pasionin e tyre duke tërhequr vëmendjen e të gjithë të pranishmëve. -Mbërrijnë turistët italianë me kampera- Por, bukuria e këtij mjedisi, nuk u ka shpëtuar disa dhjetra turistëve italianë. Janë rreth 10 kampera, që janë parkuar diku në hyrje të plazhit. Antonio, një 55 vjeçar nga Bergamo(Itali), thotë se "ky plazh është një zbulim". Ai, së bashku me bashkatdhetarët e tij, do të qëndrojnë këtu dy ditë dhe, më pas, do të vazhdojnë rrugëtimin drejt Sarandës. Gjatë gjithë kohës qëndrojnë në ujë. Duket sikur kërkojnë të shijojnë çdo moment nga kthjelltësia e detit. -Nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, po të mos vish në plazhin e Palasës- Sot ky vend është një plazh i mrekullueshëm, shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit Palasë, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Plazhi masiv prej mijra metrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar. Uji i kthjellët i detit, që të ngacmon shqisat, i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë. Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone, thotë se nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç edhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore. Shkëmbinjtë e prerë si me thikë, që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. -Plazhi i Palasës, atje ku zbarkoi Jul Qezari- Në veprën e vet "Lufta Civile", Jul Çezari përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij "ndanë brigjeve Palaeste" në ndjekje të rivalit të vet, Pompeut. Konflikti mes dy protagonistëve të njohur në historinë e Romës së lashtë, u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin '48 para erës së re, Qezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta, vendi i zbarkimit të trupave të Qezarit, sipas historianit, prof.dr.Bardhosh Gaçe, është plazhi i Palasës, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që Jeriko, përkon me Orikumin. Qezari në këtë libër, përmend fisin kaon ilir të germinëve (Dhërmiut), që popullonte këtë zonë, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj zone. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës. /s.s./
KOMENTE