English

Komiteti i Helsinkit: Gjobitja e Top Channel, vendim i diskutueshëm e shqetësues

Tiranë, 23 qershor 2010 NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), deklaroi sot se e konsideron të diskutueshëm dhe shqetësues vendimin e marrë më 18 qershor 2010 nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e cila vendosi detyrimin e të paditurit Top Channel Sh.A., për t’i paguar paditësit Ylli Pango shpërblimin e dëmit moral në një vlerë monetare prej 400 mijë Euro.

Sipas Gjykatës, shkak për këtë detyrim janë veprimet e kundraligjshme të Top Channel që kanë shkelur të drejtën e privatësisë së Z. Ylli Pango nëpërmjet xhirimeve audiovizive të kryera në banesën e tij dhe transmetimit të tyre, pa pëlqimin e tij, në emisionin Fiks Fare, gjë që ka cënuar reputacionin që ai gëzonte.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), thotë se pa dashur të bëjë vlerësimin e vendimit gjyqësor të mësipërm, të cilin mund ta shqyrtojnë vetëm gjykatat më të larta, e shikon të arsyeshme të parashtrojë publikisht qëndrimin e tij lidhur me çështjen e lirisë së medias dhe rëndësinë e informacionit që ajo ofron, çështje me interes të veçantë për publikun e gjerë dhe vetë demokracinë.

Në trajtimin e kësaj çështjeje KSHH evidenton se ka parasysh faktin se investigimi mediatik, në rastin konkret, u krye ndaj një ish-ministri, funksionar i lartë i shtetit, i cili duke pranuar të ushtrojë këtë funksion, ka pranuar, njëkohësisht, që veprimtaria e tij të jetë nën vëzhgimin e publikut të gjerë, si dhe të vlerësimit ose kritikës së shtypit të lirë.

“Është e vërtetë se e drejta e privatësisë është e garantuar si nga Kushtetuta jonë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por siç dihet, ajo nuk mund të jetë absolute. Në rrethana dhe kushte të caktuara, sidomos kur është çështja e sjelljeve dhe qëndrimeve të funksionarëve të lartë të shtetit, përparësi merr e drejta e publikut për informim. Në raport me cënimin apo kufizimin e kësaj të drejte, element i rëndësishëm është ai i proporcionalitetit. Ushtrimi i së drejtës së privatësisë, në asnjë rast nuk duhet të bjerë ndesh me interesin e publikut të gjerë”, - thotë KSHH.

Institucioni mendon se investigimi i mediave ndaj funksionarëve të shtetit, duhet të ketë për synim të konstatojë të vërtetën, lidhur me përdorimin e pushtetit dhe zbatimin e ligjit prej tyre, me qëllim që të ushtrohet kontrolli mbi ta, jo vetëm nga organet kushtetuese, por edhe nga zgjedhësit që i kanë mandatuar.

Nisur nga konsideratat e mësipërme dhe duke marrë shkas nga emisioni “Fiks Fare”, Kryeministri, organi legjislativ dhe Presidenti i Republikës u nxitën të mbanin atë qëndrim të shpejtë dhe të motivuar ndaj ish-ministrit në fjalë.

Në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastet e shqyrtimit të çështjeve të tilla, ose të ngjashme me to, pavarësisht se është konstatuar ndonjë teprim, madje edhe ndonjë provokim nga ana e medias, sidomos të asaj investigative, është pranuar se shërbimi që i bëhet publikut të gjerë është shumë më i madh se cënimi i reputacionit të pretenduar nga funksionari objekt investigimi. Kjo Gjykatë e ka shprehur qartë qëndrimin e saj se: “...kritika mund të bëhen në lidhje me jetën private të një individi, por duhet treguar se ndërhyrjet janë të justifikuara nga konsideratat të një interesi publik, ose që problemi bën pjesë në çështje të interesit të përgjithshëm” (Çështja Tammer kundër Estonisë).

Duke marrë shkas nga kjo çështje, KSHH e shikon të nevojshme të theksojë edhe një herë çka përmendet në disa vendime të Gjykatës së Strasburgut se, gazetarët kanë të drejtë të informohen ashtu si edhe publiku ka të drejtë të marrë informacion. Në të kundërtën, shtypi nuk do të luante rolin e tij të pazëvendësueshëm në një shoqëri demokratike.

Në përfundim, KSHH shpreh shqetësimin e tij lidhur me vendimin e mësipërm të Gjykatës, jo thjesht për detyrimin e Top Channel me shumën 400 mijë euro, por sidomos për faktin se një vendim i tillë mund të dekurajonte shtypin e lirë, sidomos median investigative për kryerjen e misionit të saj.

Në këtë vështrim, vlen të evidentohet fakti se emisioni “Fiks Fare”, pavarësisht nga vërejtjet që mund të bëhen, ka dhënë një kontribut të vlefshëm në interes të publikut, sidomos në luftën ndaj korrupsionit dhe parandalimit të krimit, përfundon deklarata e KSHH.

r.n/NOA

KOMENTE