English

Konflikti I Gazit: Komisioneri: Evropa Nuk Duhet Të Merret Peng

BRUKSEL, 23 qershor /ATSH-AFP/ - Evropa nuk duhet të merret peng në konfliktin e gazit mes Rusisë dhe Bjellorusisë, paralajmëroi komisioneri evropian për Energjinë, Gunther Oettinger pas një bisede telefonike dje në mbrëmje me zyrtarë të të dy vendeve. "Evropa nuk duhet të merret peng në këtë konflikt. Kjo është një çështje mes Bjellorusisë dhe Rusisë", deklaroi ai përpara ministrit rus të Energjisë Sergei Shmatko dhe zëvendëskryeministrit bjellorus Vladimir Semashko. Komisioni Evropian propozoi ndihmën e tij për qarkullimin e informacineve "të vërteta" mes dy palëve, shtoi sot zëdhënësja e komisionerit. "U kërkojmë të dy palëve të bashkëpunojnë në mirëbesim për zgjidhjen e problemit. Komisioni pret që fluksi i gazit drejt Bashkimit Evropian që vjen nga Rusia të mos preket, që ai të vazhdojë në drejtim të të gjitha shteteve evropiane në fjalë dhe që detyrimet kontraktuale të respektohen" theksoi gjithashtu Oettinger. Gjigandi i gazit rus "Gazprom" zvogëloi sot furnizimet me gaz për Bjellorusinë në 60 për qind, pas konfliktit financiar që ka me të, por tranziti i gazit drejt Evropës nuk është prekur, njoftoi kreu i kompanisë, Aleksei Miller. Të dy vendet kërkojnë nga njëri-tjetri rreth 200 milionë dollarë, Rusia për gazin e konsumuar, Bjellorusia për tranzitin. /I.Pu.
KOMENTE