English

Kosova Angazhohet Per Nderkombetarizimin E Sportit Te Saj

PRISHTINË, 23 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova shënon Ditën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar me angazhimet për sport të imazhit të mirë për vendin dhe për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar. Në Ditën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një pritje sot për sportistët dhe drejtuesi e sportit, i falënderoi për "angazhimin e gjithanshem për zhvillimin e sportit dhe të frymës së olimpizmit" dhe u premtoi "përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve sidomos në përpjekjet për ndërkombëtarizimin e mëtejshem të sportit kosovar". Po kështu, Presidenti Sejdiu u angazhua për mbarëvajtje të garave sportive në Republikën e Kosovës, si dhe kërkoi eliminimin e të gjitha dukurive negative që e dëmtojnë imazhin e sportit kosovar. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi përmes një mesazhi të urimit, siguroi "që edhe ato pengesa të mundshme, që dalin në raport me pjesëmarrjen e sportistëve tanë në gara ndërkombëtare, do të tejkalohen shpejt dhe në këtë mënyrë sporti kosovar do të vazhdojë të ndërkombëtarizohet deri në nivelet më të larta". "Tani pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe njohjes së këtij realiteti faktik nga vendet më të fuqishme të botës, janë krijuar kushtet që edhe sportistët kosovarë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare, duke prezantuar kështu denjësisht vlerat civilizuese të Republikës sonë", thekson Thaçi. Drejtuesit më të lartë të vendit dhe sportistët theksuan se Komiteti Olimpik dhe të gjithë sportistët e Kosovës përmes angazhimit të madh sportiv, edhe në kohët më të vështira, edhe tani në realitetin e shtetit demokratik të Kosovës, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, e përmes kësaj edhe të vlerave të vendit anë e kënd botës. /a.ke/
KOMENTE