Kosovë - Thaçi: Do Ketë Vetëm Ecje Përpara Dhe Njohje Të Reja Të Pavarësisë
PRISHTINË, 23 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri Hashim Thaçi, në fillim të mbledhjes së sotme të qeverisë, shprehu bindjen se për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara dhe njohje të reja edhe pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë.
Pa dashur ta paragjykojë ose politizojë këtë proces, Kryeministri Thaçi theksoi se "në çdo rrethanë për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, njohje të reja dhe proces integrues euroatlantik, duke përjashtuar çdo mundësi që dikush mund të pretendojë për çështje të statusit apo integritet teritorial".
"Kosova është shtet i pavarur, sovran, i njohur ndërkombëtarisht, dhe do të ketë vetëm avancim të njohjeve dhe proces tjetër të rëndësishëm integrues", tha Thaçi.
Kryeministri Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar edhe për vizitën në Bruksel, duke theksuar se "është një mbështetje unike e vendeve të Bashkimit Evropian për perspektivën edhe më të qartë evropiane të Kosovës".
Gjatë vizitës në Bruksel disa ditë më parë Kryeministri Thaçi zhvilloi takime me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, baroneshën Catherine Ashton, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rassmunsen, drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, Pier Mirel, si dhe me Kryeministrin e Belgjikës, Yves Letereme.
/s.s./