Tiranë, 23 qershor 2010 NOA – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, tha sot se bojkoti i zgjedhjeve nga Partia Socialiste është një ogur i keq dhe lajm i keq për vendin dhe opozitën shqiptare.
Reagimi i Patozit erdhi pas deklaratës së bërë nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në intervistën që i dha mbrëmë Zërit të Amerikës lidhur me mospjesëmarrjen e mundshme të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2011 kur tha se më parë duhet bërë transparencë e zgjedhjeve aktuale.
“Edi Rama prodhoi dy lajme të këqija për shqiptarët, së pari konfirmoi që PS mund të bojkotojë zgjedhjet lokale. Aksionet politike të Ramës dhe përpjekjet e dështuara të tij, rropatjet lart e poshtë, brenda dhe jashtë vendit, mund të lexohen në funksion të këtij qëllimi ogurzi”, - tha z.Patozi.
Ai vlerësoi më tej se “PS pavarësisht disfatave të disata në zgjedhje, duhet të përballet me elektoratin për të korrigjuar gabimet dhe rezultatin”.
Kurse më tej, z.Patozi tha se “lajmi i dytë i keq ishte për vendin, pasi PS po degradon. Në intervistën për "Zërin e Amerikës", Rama e trajtoi këtë televizion ashtu si ka bërë edhe me mediat në Shqipëri, duke i quajtur pyetjet e gazetares, si ato të kafeneve të Tiranës”.
Në vijim Patozi tha se kryetari socialist “mbetet i vetmi politikan në botë që me cinizmin dhe arrogancën e tij, kërkon deri dhe ekskluzivitetin e përgjigjeve duke fyer njerëzit e fjalës së lirë”.
Sipas Patozit, “cinizmi arrogant i Ramës ndaj shtypit të lirë tregon mentalitet jo demokratik ndaj fjalës së lirë. Ai kërkon jo vetëm ekskluzivitetin e pyetjeve por dhe atë të përgjigjeve”.
r.n/NOA