English

Kriza - Greqi - Vazhdon Bllokimi I Pireut, Greva Dhe Manifestime

ATHINË, 23 qershor /ATSH-ANSA/ - Vazhdon paraliza në portin e Pireut ku sindikalistët dhe militantët vazhdojnë të mbajnë të bllokuara tragetet në shenjë proteste kundër reformës së pensioneve dhe planit të kursimit. Ndërprerje janë parashikuar sot edhe për transportet hekurudhore. Bllokimi i portit të Pireut është pjesë e grevës së deklaruar sot nga sindikata komuniste "Pame" kundër reformës së pensioneve dhe tregut të punës, që do të paraqitet të hënën në parlament. Në bllokimin e portit të Pireut marrin pjesë vetëm dy sindikata portuale nga disa dhjetëra, por megjithatë ato kanë bllokuar nisjen e trageteve drejt ishujve. Dhe mbeten të bllokuara tashmë prej 16 ditësh në portin e Korintit dy anije të kompanisë italiane "Adriatic Lines" që denoncojnë mungesën e reagimit të qeverisë pavarësisht dy vendimeve të gjykatës së Pireut që urdhëroi fundin e grevës dhe shpalljen e bllokimit të paligjshëm. Pame manifestoi sot para parlamentit ndërsa një tjetër manifestim është planifikuar në mbrëmje nga sindikatat e sektorit publik, Adedy dhe ajo e sektorit privat Gsee. Sot hynë në një grevë 24 orëshe gazetarët e televizioneve shtetërore, ndërsa avokatët kanë nisur një proteste disa ditore. /e.v/
KOMENTE