English

Krokodili, gaforrja dhe bletët

Siç ka treguar përvoja e vendeve ish-socialiste, që tashmë kanë hyrë në skedinën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, demokracia mund të sjellë stabilitet, ndërsa stabiliteti nuk është e thënë se sjell demokraci

Nga Kosta Barjaba* 1. Burokrati europian që prenotoi restorant “Crocodile” për darkën e fundit të majit, me siguri i njihte simbolikat e krokodilit në kulturën europiane e botërore. Për kureshtjen e lexuesit, po risjellim disa prej tyre. Prej të paktën 400 vjetësh, në kulturën europiane krokodili është simbol i hipokrizisë. Legjenda tregon se krokodili lotonte ndërsa gëlltiste qeniet njerëzore. Edhe kultura shqiptare ka huazuar këtë simbol, në frazën lakonike e sarkastike: “lot krokodili”. Në disa kultura të tjera, hipokrizia krokodiliane është justifikuar me argumentin se Krokodili kullufiste vetëm qeniet fajtore. Mbështetur në këtë simbolikë kulturore, në Mesjetë hyrja e Ferrit përshkruhej si një gojë e stërmadhe, në të cilën dallohej një dhëmb i hatashëm Krokodili. Simbolikat kanë pasuar njëra-tjetrën, por thelbi i tyre mbetet i njëjtë në të gjitha kulturat: heretikët, fajtorët dhe të pabindurit i presin dhëmbët e Krokodilit, pavarësisht se kjo ndodh e mbërthyer në shkëmb (Andromeda në mitologjinë greke), buzë liqenit (në kulturën afrikane), ose përgjatë brigjeve të lumit (në kulturën koreane). Kështu, pra, darka e famshme krokodiliane strasburgase mund të vendoset shumë lehtë në rezervuarin simboliko-kulturor europian. Por me disa modifikime, të cilat burojnë nga konteksti i ri. “Krokodili” europian është i vonuar, madje tepër i vonuar, në dhënien e verdiktit për krizën shqiptare. Ndërhyrja ndodhi me shumë vonesë, kur ngjarjet kishin degraduar pothuajse në mënyrë të pariparueshme. Shqipëria po bënte një vit në qerthullin e një krize amortizuese për vendin, ndërsa Krokodili në brigjet e Rinit (lumi që përshkon Strasburgun) nuk reagon. Kriza shqiptare për zyrtarët europianë tingëllon si rutinë e një demokracie liberale të papjekur, por shumë thjesht ajo mund të përkthehet në terma kritikë. Një vit vonesë në zgjidhjen e një krize në gjuhën e negociatave mund të jetë një test ose një dështim profesional, por në jetën e shqiptarëve janë katër milionë vite. Nëse llogarisim që çdo shqiptari i kushtoi një vit jetë amullie, ngadalësim investimesh, përfolje të vendit të tyre në kancelaritë europiane, mungesë qartësie perspektivash e projektesh individuale. Mos u çudit, i dashur lexues, me këto argumente. Shqipëria është një vend me tregje gati monopsonike, gjë që do të thotë se nëse makina shtetërore, qeveritare dhe politike ka probleme, ato i vuajnë të gjithë qytetarët. Siç ndodh me shumicën e qëndrimeve ndaj vendeve me demokraci të papjekura, “Krokodili” priret jo nga standardet demokratike të tyre, por nga i famshmi stabilitet. Por siç ka treguar përvoja e vendeve ish-socialiste, që tashmë kanë hyrë në skedinën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, demokracia mund të sjellë stabilitet, ndërsa stabiliteti nuk është e thënë se sjell demokraci. Përndryshe, Enveri dhe Tito do të quheshin Xhefersonët dhe jo Stalinët e Ballkanit. Krokodili mban ndaj krizës shqiptare dhe vetë Shqipërisë një qëndrim të ngjashëm me atë të vendeve të dorës së dytë. Që nuk janë në zemër të Europës, por në kontinentet e largëta. Dorëdytësia është shumë e thjeshtë të kuptohet: “Ju arrini ç’mund të arrini nga standardet. As që bëhet fjalë të arrini atje ku duhet!”. Para disa kohësh, diplomacia e një vendi mik dhe partner me Shqipërinë, për të cilin ne shqiptarët kemi një nderim të veçantë, organizoi disa aktivitete për të nxitur kthimin e emigrantëve të suksesshëm shqiptarë nga ky vend mik në Shqipëri. Dhe, për t’u bërë realistë, praktikë e nxitës, kishin gjetur edhe disa modele kthimi. Më i spikaturi ndër ta ishte një parukiere, në fakt zonjë e nderuar, që me mundin, të ardhurat nga migracioni dhe inteligjencën e saj ka ngritur një shërbim model në Tiranë. Por nuk e zbërtheva dot mesazhin pse modeli më i spikatur duhej të ishte parukerja e suksesshme. Nuk kanë arritur suksese të tjera emigrantët shqiptarë gjatë njëzetë vjetëve të fundit në këtë vend mik? Apo dikush na kujton se “bëni ç’të doni, më shumë se parukierë nuk arrini dot?”. Por Krokodili me dhëmbin e tij nuk po tregohet i sinqertë, duke mos respektuar madje as legjendën që vjen nga hyrja e Ferrit - dënimin e mëkatarëve. “Krokodili” i kërkon mëkatarët te viktimat dhe jo te fajtorët. 2. Po Gaforrja? Ah, Gaforrja mbetet po ajo. Nëse tranzicioni shqiptar mund të krahasohet me një ecje në stilin e gaforres, episodi më tipik i këtij stili është kurba e zgjedhjeve. Zgjedhjet e 2009 nuk ishin veçse të mbërthyera fort prej saj. Paraprocesi, procesi dhe pasprocesi u kontrolluan në mënyrë të studiuar dhe, duhet thënë, inteligjente. As zgjedhjet e majit 1996 nuk e mbajtën pezull Shqipërinë si zgjedhjet e qershorit 2009. Edhe atëherë Shqipëria bëri zgjedhje të dështuara dhe të stigmatizuara, Krokodili kërkoi përsëritjen e tyre në limitet e moscenimit të rezultatit, Gaforrja refuzoi, pastaj shtëpia e shqiptarëve u rrëzua me rropamë dhe desh i zuri të gjithë brenda. Në harkun kohor të një viti, Shqipëria mbajti zgjedhjet e reja, të cilat mbyllën periudhën e amullisë dhe gradualisht e vunë vendin në rrugën e normalitetit. Ndërsa tashmë, viti i kontestimit po mbyllet dhe askush nuk di asgjë. As Krokodili, as Gaforrja dhe siç do të shohim më poshtë, as Bletët. Me zgjedhjet shqiptare ndodh si në paradokset filozofike: pasoja ndodhet para, nuk vjen pas shkakut. 3. Dy vjet para zgjedhjeve, opozita i hyri një procesi të mundimshëm dialogimi me të qeverisurit. Pavarësisht produktit të këtij komunikimi politik, punë e cila mund të krahasohet me palodhshmërinë e bletëve, dialogu e shpuri opozitën në çdo cep të jetës së shqiptarëve. Opozita u shkri me shumicën e popullit dhe, si rezultat, e majta u votua më shumë se e djathta. Zgjedhjet nuk prodhuan një shumicë, por thjesht një pakicë më të madhe, e cila u shtua gjatë procesit të administrimit të votës. Gjatë procesit, Bletët e humbën toruan, sepse Gaforrja ndodhej kudo dhe kontrollonte çdo gjë, votimin, numërimin, aleancat paranumëruese. Pas procesit ato ndërtuan të njëjtin dialog e komunikim me shumicën e shqiptarëve. Kërkesat e opozitës erdhën duke u racionalizuar e bërë më prudente: nga mosnjohja e zgjedhjeve, te pranimi i rezultatit; nga debatet brenda partisë, te mbështetja e gjerë popullore; nga rinumërimi i fletëve, te hapja e materialeve zgjedhore; nga kontestimet institucionale e ligjore, te manifestimet popullore; nga dyqind mijë qytetarë që protestojnë në 200 grevistë urie; nga greva e urisë, në tryezën e Krokodilit. Por në pyllin politik ende asgjë nuk pipëtin. Ndaj dhe njerëzit kanë të drejtë të thonë: “Bletët si bletët, Gaforrja si gaforrja, Krokodili si krokodili!”. (*) Marrë nga “Express”

KOMENTE