English

Kryeministri Berisha Vlerëson Mbështetjen E Qeverisë Së Austrisë Për Plotësimin E Kritereve Për Liberalizimin E Vizave

TIRANË, 23 Qershor/ ATSH / - Kryeministri Berisha priti sot në takim Ministren e Brendshme të Republikës Federale të Austrisë, Maria Fekter. Sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrise, gjatë takimit, kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën mjaft të rëndësishme dhe efiçente që Austria i ka dhënë Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në këto vite, si dhe për përkrahjen në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, liberalizimin e vizave. Kryeministri Berisha u ndal në kontributin thelbësor të qeverisë austriake në realizimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, si një nga standardet e rëndësishme për realizimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët dhe që ishte një nga aspektet kryesore që bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve më të mira në historinë e Shqipërisë, ku për herë të parë nuk pati probleme me listat e votuesve. Berisha u shpreh gjithashtu se qeveria shqiptare është e hapur për të bashkëpunuar me qeverinë austriake në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e sigurisë. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha e njohu ministren e Brendshme të Austrisë me të gjitha reformat e thella të ndërmarra nga qeveria shqiptare për forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në vend, si dhe i shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë të gjitha hapat për thellimin e mëtejshëm të saj. Nga ana e saj, ministrja Fekter falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke shprehur kënaqësinë se bashkëpunimi i Austrisë me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e sigurisë, është shumë i suksesshëm dhe se përveç projekteve të realizuara së bashku si një histori suksesi, janë të shumta edhe projektet e reja për të cilat të dyja vendet po punojnë bashkërisht. "Liberalizimi i vizave, vijoi zonja Fekter, si projekti më i rëndësishëm për shqiptarët do të mbështetet fuqishëm dhe në çdo hap nga qeveria austriake. Falë këtyre reformave të qeverisë shqiptare, jemi të bindur se Shqipëria do të marrë në vjeshtë, vendimin final për liberalizimin e vizave nga Komisioni Europian". Znj. Fekter shprehu kënaqësinë që Shqipëria do të jetë një nga anëtarët themelues të Akademisë Ndërkombëtare Antikorrupsion, një dëshmi e qartë kjo, theksoi zonja Fekter, e vullnetit të madh të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit. Ministrja Fekter i shprehu Kryeministrit Berisha përgëzimet për reformat e jashtëzakonshme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në vitet e fundit, në të gjitha fushat dhe që janë të dukshme jo vetëm në sytë e vendeve të rajonit, por edhe të të gjitha vendeve mike, mes të cilave edhe të Austrisë. " Madje, shtoi zonja Fekter, ka disa arritje të Shqipërisë, të cilat duhet të jenë shembull edhe nga vende shumë të zhvilluara si Austria. Në këtë aspekt, zonja Fekter përgëzoi Kryeministrin Berisha për çmimin e OKB-së për prokurimet elektronike, si dhe për arritjet e mëdha të qeverisë në drejtim të një administrate të vogël". Ajo e cilësoi të shkëlqyer Ligjin për Konfiskimin e Aseteve nga Aktivitetet Kriminale, duke u shprehur se prerja e burimeve financiare është një nga aspektet thelbësore të luftës me eficencë kundër krimit. Gjatë takimit, u diskutua edhe për një tjetër projekt të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, adoptimin nga Shqipëria të projektit "ILECU", ku Shqipëria bëhet vendi i parë europian që adopton modelin austriak të ndërthurjes të të gjitha shërbimeve të komunikimit bilateral në një njësi të vetme operative. Kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi i ngushtë dhe i suksesshëm me Austrinë në fushën e sigurisë është një inkurajim edhe për të gjithë investitorët austriakë, të cilët janë të shumtë në Shqipëri, për të vazhduar me sukses projektet e tyre këtu. Në takim, u shpreh vullneti për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve./m.sh//a.ke/
KOMENTE