English

Kukës: Ekspertët Rimarrin Në Pyetje Shoqet E Vajzës Së Humbur

KUKËS, 23 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Ekspertët e krimeve të rënda janë rikthyer dje në fshatin Zapod të rrethit të Kukësit në përpjekje për të gjetur ndonjë gjurmë të 6 vjeçares së zhdukur prej një muaji. Burime zyrtare të policisë lokale, konfirmojnë se në Zapod kanë qenë ekspertët e krimeve të rënda që për orë të tëra kanë pyetur e ripyetur 5 vajzat, të cilat kanë qenë bashkë me Bleona Matën në momentin kur ajo u zhduk pa gjurmë. Sipas të njëjtave burime, ekspertët dyshojnë se vajzat, të cilat janë pyetur dhe më parë, nuk kanë treguar të vërtetën. Dyshime për këtë kanë shprehur, më shumë se një herë, dhe prindërit e vajzës së zhdukur. Se çfarë kanë deklaruar vajzat, të cilat janë më të mëdha se në moshë se 6 vjeçarja e zhdukur nuk bëhet e ditur, ndërsa mësohet se sot paradite ekspertët janë larguar në dretjim të Tiranës. Dje u mbush një muaj nga dita kur 6 vjeçarja Bleona Mata humbi në rrethana misterioze, teksa kishte dalë në kullotë së bashku me vajza të tjera./ch/
KOMENTE