Stamboll, 23 qershor, NOA - Liberalizimi i shpejtë i vizave për qytetarët shqiptarë dhe marrja nga Shqipëria sa më shpejt e statusit të vendit kandidat të BE-së, por edhe situata politike në vend, kanë qenë temat e bisedës që presidenti Topi ka kryer me komisionerin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Stefan Fule.
Lajmi konfirmohet nga burime të Presidencës, sipas të cilave, takimi mes tyre është zhvilluar në Samitin e Stambollit, ku kreu i shtetit shqiptar ka përfituar nga rasti të takojë edhe homologun e tij turk, Abdullah Gyl.
Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në të gjitha fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të plotë si anëtar i NATO-s, Topi vlerësoi edhe ndihmesën e vyer që ky vend ka dhënë në përmbushjen e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, presidenti turk nënvizoi me kënaqësi rritjen e përshpejtuar të investimeve dhe pranisë së investitorëve seriozë turq në sektorin financiar, të prodhimeve, të arsimit e të shëndetësisë, ndërkohë që theksoi se shkëmbimi i përvojës turke në fushën e turizmit mbetet një aspekt tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen. n.e/NOA