English

Lsi: Rezoluta E Pe-Së, Çertifkim Europian Për Standardet E Shqipërisë

TIRANE, 23 Qershor /ATSH- A.Gegvataj/ .- "Votimi i rezolutës për Shqipërinë sot nga Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave është një moment vlerësimi dhe konfirmimi serioz për të gjitha arritjet e shënuara në tërësinë e reformavë të ndërmarra e të realizuara nga qeveria shqiptare", deklaroi Sekretari i Përgjithëm i LSI-së, Luan Rama. Në emër të LSI-së, Rama përshëndeti qëndrimin e shprehur me votim unanim në Komisionin e Jashtëm të PE-së për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda viti 2010 dhe për integrimin e Shqipërisë në BE. "Miratimi i kësaj rezolute është dhe çertifikimi europian i standardeve ku ndodhet Shqipëria dhe për të cilën padyshim meritojnë vlerësimin dhe përshëndeten të gjithë ata që kanë qënë pjesë e angazhimit dhe pjesë e këtij kontributi", tha Rama. Gjthashtu në emër të LSI-së, Rama përshëndeti të gjithë eurodeputetët që votuan rezolutën, por veçanërisht ata të majtë. "Përmes këtij votimi ata sjellin për realitetin politik shqiptar apelin e nevojshëm sesi duhet të sillen politikanët e përgjegjshëm dhe të gjtha ata që mendojnë dhe investojnë për Shqipërinë europiane",shtoi ai. Sipas tij, qëndrimi i Komisionit të Jashtëm të PE-së dëshmon gjithashtu se angazhimi politik i z. Meta si kryetar i LSI-së dhe në atributet e përfaqësimit të LSI-së si zv/kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, ka qënë pozitiv në të mirë të procesit të integrimit europian të vendit. "Interesat politike të Metës dhe të LSI-së janë një me interesat politike dhe ato europianë të qytetarëve tanë dhe Shqipërisë europiane", tha ai. Duke i bërë thirrje opozitës që të kontribuojë në të mirë të vendit, Rama tha se "shpresoj dhe besoj që socialistët të kuptojnë që pjesëmarrja, kontributi dhe angazhimi real, janë sjellja evropiane me të cilën ne duhet të ballafaqohemi me njëri- tjetrin dhe jo vetëpërjashtimi, vetëbojkoti apo më keq rishfaqja përmes një politike arkaike më të vjetër sesa politika e vjetër, që nuk i shërben Shqipërisë", përfundoi ai. /s.s./.
KOMENTE