English

Mbërrin sot në Tiranë ndërmjetësuesi i PE për krizën politike, Joseph Daul

Tiranë, 23 Qershor, NOA – Mbërrin sot në Tiranë, kreu i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Europian, Josep Daul, i cili së bashku me rivalin e tij të majtë, Martin Schultz, ishte një nga ndërmjetësuesit e krizës politike në Shqipëri.

Një ditë para vizitës së tij në Shqipëri, Daul deklaroi se nuk ka shpresa të arrijë ndonjë marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës.

Ai ka dashur të distancohet, duke thënë se vizita në Tiranë ishte e planifikuar, por nuk ka lidhje me negociatat për zgjidhjen e krizës politike.

“Së pari, vizita ime ishte parashikuar prej kohësh. Një vizitë në Ballkan, në Maqedoni dhe Shqipëri. Së dyti, së bashku me Martin Schultz jemi përpjekur që të negociojmë një zgjidhje për Shqipërinë, e cila dështoi javën e kaluar. Por kjo nuk me pengon që të vij në Tiranë për të takuar kryeministrin, të cilin e kam mik, dhe për të diskutuar me të. Mos kujtoni se kam ndonjë iluzion! Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu”, - tha Daul.

Pas takimit disa javë më parë në Strasburg në një darkë pune me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama, Doul dhe Schulz, hartuan një draft-marrëveshje për t'u firmosur nga palët, e cila u mbështet nga BE.

Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, Rama u dërgoi një letër dy eurodeputetëve Doul dhe Schultz, në të cilën u lutej të vazhdonin përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje të krizës politike, pothuajse një vit pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të kaluar.

n.e/NOA

KOMENTE