English

Mbetjet Spitalore Përbëjnë 0.17 % Të Mbetjeve Të Gjeneruara Në Vend

TIRANË, 23 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Mbetjet spitalore përbëjnë rreth 0.17 % të mbetjeve të gjeneruara, të matshme në 8 qytete të vendit. Të dhënat u bënë publike në takimin "Trajtimi i Mbetjeve Spitalore: prioritet i Shqipërisë", organizuar sot në Hotel "Tirana International" nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave dhe ajo e Shëndetësisë, me mbështetjen teknike të projektit EU CARDS 2006 INPAEL "Zbatimi i Planit Kombëtar për Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor". Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, duke u ndalur në problematikën e mbetjeve spitalore në vend, e cilësoi "të mangët e jashtë standardeve të kohës çështjen e mbetjeve, veçanerisht të mbetjeve spitalore, të cilat për vetë specifikën e tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e njerëzve". "Depozitimi i tyre në vende të hapura dhe të përbashkëta me pjesën tjetër të mbetjeve urbane është një praktikë e rrezikshme, që shtrin ndotjen tej rrezikut eminent e të dukshëm, pasi përçohet me tej në kohë dhe hapësirë, duke shkaktuar ndotje të tokës, ujrave nëntokësore, sipërfaqësore dhe ajrit", nënvizoi Mediu. Sipas tij, licencimi i subjekteve private në shëndetësi, që janë gjenerues të mbetjeve spitalore, nuk mund të bëhet pa kërkuar më parë nga ato mënyren e trajtimit të tyre, në përputhje me Direktivat Europiane dhe praktikat më të mira të kohës. "Të gjithë gjeneruesit e mbetjeve klinike janë përgjegjës për ruajtjen e sigurt të tyre, transportin dhe depozitimin dhe trajtimin përfundimtar të tyre, në mënyrë që të minimizohet rreziku në shëndetin e personelit mjekësor, të komunitetit dhe mjedisit", theksoi ministri Mediu. Ministri Mediu u ndal tek sektori privat spitalor që përgjithësisht administrohet nga kompani të huaja. "Nuk mund të tolerojmë që kompanitë që investojnë në Shqipëri në fushën e spitaleve të mos ndjekin të njëjtat praktika për trajtimin e mbetjeve spitalore, siç ndjekin në vendet e tyre, lidhur me ndarjen e duhur, paketimin, etiketimin dhe ruajtjen e mbetjeve klinike". Po kështu, sipas tij, kontraktoret e grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve duhet të jenë të licencuar, ashtu si edhe vend-depozitimi i mbetjeve duhet të jetë i aprovuar dhe i licencuar për trajtimin e mbetjeve spitalore. Duke mos lënë jashtë vëmendjes sistemin spitalor publik, ministri Mediu theksoi se "me gjithë kufizimet financiare, është e domosdoshme që edhe spitalet publike të parashikojnë në buxhetin e tyre një zë të veçante financiar për trajtimin korrekt te mbetjeve spitalore". MMPAU po përgatitet të kalojë një paketë të rëndësishme ligjore në fushën e mjedisit në qeveri dhe më tej në Parlament, ku përfshihet edhe Politika, Strategjia Kombëtare e Mbetjeve dhe Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve. Këto dokumente përcaktojnë drejtimin e politikes së qeverisë për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve deri në 2025, duke vendosur objektiva reale dhe sfiduese, per nje ndryshim themelor, ne menyren se si do t'i menaxhojme mbetjet në Shqipëri. Ndërkohë, në Draft Strategjinë Kombëtare të Mbetjeve dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit te Mbetjeve synohet hedhja e një hapi drejt hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Mbetjet e Rrezikshme, që do t'i bashkëngjitet Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve, duke përbërë një pikënisje për zhvillimet e metejshme. Draft Strategjia përcakton që për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme brenda vitit 2010 do të krijohet grupi i punës për mbetjet e rrezikshme për të ndërmarre inventarizimin e mbetjeve te rrezikshme, si dhe zhvillimin e projektfishave për menaxhimin e mbetjeve te rrezikshme. Strategjia synon gjithashtu brenda vitit 2011 hartimin e Planit Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Rrezikshme me afate, objektiva dhe indikatorë të monitorimit të progresit të përcaktuara qartë./s.s./
KOMENTE