Miratohet Deklarata E Perbashket E Parlamentit Evropian Dhe Kosoves
PRISHTINË, 23 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Është miratuar sot një deklaratë e përbashkët e Parlamentit Evropian dhe Kosovës.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po qëndron në Bruksel, ka marrë pjesë në punimet e ditës së dytë të takimit të tretë ndërparlamentar, Parlamenti Evropian - Kosova. Gjatë takimit u zhvilluan diskutime konstruktive dhe u fol për arritjet në Kosovë.
Zyra e shtypit e Parlamentit kosovar bën të ditur se pati diskutime të shumta edhe nga deputetë të Parlamentit Evropian, të cilat shtruan një sërë pyetjesh në adresë të anëtarëve të delegacionit të Kosovës.
"Delegacioni i Kosovës paraqiti fakte dhe të dhëna të shumta, të cilat u vlerësuan lart nga europarlamentarët. Në fund, pas diskutimeve të gjera, u harmonizua dhe u miratua një deklaratë e përbashkët e Parlamentit Evropian dhe Kosovës", theksohet në njoftim.
Bëhet e ditut se takimi kaloi në një frymë shumë të mirë bashkëpunimi dhe kjo u vlerësua edhe nga udhëheqësi evropian i takimit, Eduard Kukan.
Në orët e pasdites, kryeparlamentari Jakup Krasniqi zhvilloi një takim edhe me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Miguel Martinez, i cili kishte shtruar një drekë për delegacionin. /a.ke/