P/Ligji "Për Menaxhimin Financiar Dhe Kontrollin", Siguron Përdorimin Efiçent Të Burimeve Financiare Publike
TIRANE, 23 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/ - Projektligji "Për menaxhimin financiar dhe kontrollin" përcakton rregullat, procedurat administrative dhe metodat për funksionimin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit brenda njësive të sektorit publik, me qëllim përdorimin efiçent të burimeve financiare publike, duke respektuar parimin e transparencës dhe të ligjshmërisë.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi sot debatin mbi këtë projektligj të hartuar nga ministria e Financave, që përbën një akt të rëndësishëm në kuadër të reformës së ndërmarrë për përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Ekspertja e ministrisë së Financave, Anila Çili, tha se zbatimi i këtij p/ligji përcakton përgjegjësitë e ministrit të Financave, udhëzimet dhe manualet standarde që ai miraton, përcakton përgjegjshmërinë menaxheriale të titullarit të njësisë së sektorit publik nëpunësit etj, dhe fut të drejtën e delegimit të detyrave të nëpunësit autorizues, atij zbatues dhe menaxherëve të tjerë, duke vendosur theksin në ruajtjen e nivelit të përgjegjësisë.
Miratimi i p/ligjit do të sigurojë rritjen cilësore të menaxhimit të financave publike dhe plotësimin e kuadrit ligjor, sipas kërkesave të Bashkimit Europian. /a.ke/