English

Patozi: Deklarata E Ramës Që Kushtëzon Pjesëmarrjen Në Zgjedhjet Lokale, Lajm I Keq Për Ps-Në

TIRANË, 23 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, reagoi të mërkurën, pas deklaratës së djeshme të kryesocialistit Edi Rama për Zërin e Amerikës, sipas së cilit, "nuk do të ketë zgjedhje pa u plotësuar kushtet për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme". "Të gjitha rropatjet e zotit Rama jashtë dhe brenda Shqipërisë, rrugëve të botës dhe Shqipërisë, duhet të lexohen në funksion të këtij qëllimi aspak demokratik dhe ogurzi. Mendoj se ky është një lajm shumë i keq në radhë të parë për Partinë Socialiste", tha Patozi. Pavarësisht disfatave të njëpasnjëshme lokale politike që ka patur kohët e fundit me Partinë Demokratike, Patozi shprehu bindjen se "Partia Socialiste, si një parti e madhe sfidante mezi pret ballafaqimin elektoral, që është e vetmja mënyrë për të korrigjuar dhe përmirësuar rezultatet politike të viteve në vijim". Sipas Patozit, "deklarata e Ramës është një lajm i keq edhe për vendin në përgjithësi, sepse shikon se si po degradon dita-ditës forca kryesore e opozitës që është pushteti moral i një vendi". "Ndërkohë, zoti Rama prodhoi edhe një tjetër lajm negativ, i cili është cinizmi imponues apo arrogant ndaj shtypit të lirë. Qytetarët shqiptarë patën dje rastin të dëgjojnë cinizmin dhe qëndrimin fyes dhe poshtërues që zoti Rama mbajti ndaj një prej kampioneve të lirisë dhe pavarësisë së shtypit të lirë, që është Zëri i Amerikës dhe ky është një lajm shumë i keq", tha Patozi. /a.ke/
KOMENTE