English

PD:10 vjet qeverisje nga Rama, Tirana ende pa një plan rregullues

Tiranë, 23 qershor, NOA – Pas dhjetë vitesh qeverisjeje nga Edi Rama, kryeqyteti i Shqipërisë, ende nuk ka një plan të përgjithshëm rregullues, përtej të cilit nuk dimë ende si mund të zhvillohet Tirana në lartësi e shtrirje të saj.

Ndërsa priten zgjedhjet e ardhshme lokale, Partia Demokratike përmes deputetit Viktor Gumi, ka rikthyer rishtas vëmendjen në planin urbanistik të kryeqytetit, i cili sipas demokratëve nuk është realizuar qëllimisht edhe mbas 10 vjet qeverisjeje të kryebashkiakut Rama, që askush të mos njohë vendet se ku duhet të ndërtohet, ku do të jenë hapësirat e gjelbërta apo sa të gjera do të jenë rrugët, duke e kthyer Tiranën, në të vetmin kryeqytet në Evropë, pa një plan rregullues.

“Z. Rama nuk donte të kishte një plan, sepse një plan krijon transparencë, një plan rregullues do të përcaktonte rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë, pra plani rregullues do t’i lidhte duart z. Rama e nuk do të lejonte që ai të kthehej në zot të qytetit, duke e trajtuar Tiranën, si çifligun e tij, dhe të vendoste nën kontroll industrinë e ndërtimit dhe nëpërmjet saj edhe median”, deklaroi deputeti demokrat, Viktor Gumi.

Duke evidentuar dyfishimin e popullsisë së kryeqytetit dhe mosndërtimin e një çerdheje të re për fëmijët, deputeti demokrat tha se “sot Tirana duket si nje qytet i pushtuar nga makinat me një trafik të tmerrshëm kur në fakt ashtu si e gjithë Shqipëria është qyteti me numrin më të ulët të makinave për frymë në Ballkan, duke bërë që Tirana pa plan të jetë shqetësimi i përditshëm i prindërve që nuk dinë ku t’i argëtojnë fëmijët nëpër kënde lojërash apo parqe publike”.

mit/NOA
KOMENTE