English

PD: Mungesa e planit rregullues, Ramës i interesonte që ta “pushtonte” Tiranën

Tiranë, 23 qershor, NOA - Kryeqyteti i Shqipërisë nuk ka ende një plan të përgjithshëm rregullues mbas 10 vjet qeverisje të kryebashkiakut Edi Rama.

Kjo deklaratë është bërë nga deputeti demokrat, Viktor Gumi, sipas të cilit, një qytet nuk mund të zhvillohet nëse nuk dimë se ku duhet të ndërtohet dhe me çfarë intensiteti, ku duhet të jenë kopshtet dhe shkollat, sa të gjera duhet të jenë rrugët apo hapësirat e gjelbra dhe ambjentet e tjera publike.

“E gjitha kjo ka ndodhur në Tiranë, kryeqytetin e vetëm në Europë që nuk ka një plan rregullues. Kjo ka ndodhur në qytetin, popullsia e të cilit është më shumë se dyfishuar dhe afërsisht po aq është rritur edhe sipërfaqja e ndërtuar”, tha ai.

Më tej, deputeti demokrat, ka aluduar duke thënë se “si ka mundësi që Rama nuk arriti në 10 vjet të hartonte një plan kur në 10 vjet mund të hartoheshin 2 deri ne 3 plane rregulluese”.

“Kjo tregon shumë qartë se plani i vetëm i Ramës ka qenë ta linte Tiranën pa plan”, nënvizoi Gumi.

Ai ka vënë në dukje se Rama nuk donte që të kishte një plan, sepse një i tillë krijon transparencë, një plan rregullues që do të përcaktonte rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë.

“Me pak fjalë, plani rregullues do t’i lidhte duart Ramës dhe nuk do të lejonte që ai të kthehej në zot të qytetit dhe ta trajtonte Tiranën si çifligun e tij e të vendoste nën kontroll industrinë e ndërtimit e nëpërmjet saj dhe median”, përfundoi deputeti demokrat, Viktor Gumi.

n.e/NOA

KOMENTE