English

Presidenti Topi Pritet Nga Presidenti I Turqise, Abdullah Gyl Dhe Takohet Me Komisionerin Fyle

TIRANE, 23 Qershor/ATSH/. - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i cili po viziton Turqinë për të marrë pjesë në dy Samitet e Stambollit, u prit sot pasdite nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl. Sipas Zyres se Shtypit te Presidences, z. Topi falënderoi homologun turk për pritjen e ngrohtë e vëllazërore dhe për mbështetjen e pakursyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë fusha dhe vlerësoi lart dialogun politik tradicional mes dy vendeve tona mike. Ai vuri në dukje se vizitat e vazhdueshme në të gjitha nivelet, tregojnë më së miri klimën e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, marrëdhënie që shkojnë përherë e më tepër drejt forcimit të mëtejshëm në interes të popujve tanë. Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në të gjitha fushat me interes reciprok, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të plotë si anëtar i NATO-s, por edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura, duke shprehur edhe bindjen në vazhdimësinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje. Po kështu, Presidenti Topi vlerësoi ndihmesën e vyer, kontributin dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në përmbushjen e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Evropian. Pasi vuri në dukje disa prej zhvillimeve pozitive në vend në kuadër të rritjes së stabilitetit ekonomik, Presidenti i Republikës shprehu besimin në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona, duke nënvizuar nevojën për rritjen e shkëmbimeve tregtare, si dhe për intensifikimin e investimeve të kompanive prestigjioze turke në sektorë kyç si energjia e telekomunikacioni. Nga ana e tij, Presidenti turk, Abdullah Gyl, duke vlerësuar këtë takim si të rëndësishëm, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat. Presidenti turk nënvizoi me kënaqësi rritjen e përshpejtuar të investimeve dhe pranisë së investitorëve seriozë turq në sektorin financiar, të prodhimeve, të arsimit e të shëndetësisë, ndërkohë që theksoi se shkëmbimi i përvojës turke në fushën e turizmit mbetet një aspekt tjetër i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen. Në përfundim të takimit, të dy presidentët shprehën bindjen se edhe ky takim i nivelit më të lartë do të shënojë një sukses të mëtejshëm në thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe. * * * Po sot pasdite, Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet me krerë shtetesh dhe qeverish pjesëmarrës në Samitin e SEECP-së dhe Samitin mbi Korridoret Kulturore që po zhvillohen në Stamboll. Një takim të veçantë Kreu i shtetit shqiptar e zhvilloi në mbrëmje me Komisionerin e BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle. Të dy personalitetet e larta diskutuan mbi liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, mbi marrjen nga Shqipëria sa më shpejt të statusit të vendit kandidat të BE-së si dhe mbi situatën politike në vend. /a.ke/
KOMENTE