English

Ruli: Po Punojme T'A Kthejme Bujqesine Nga Ekonomi E Familjes, Ne Ekonomi Te Integruar Ne Treg

KORÇË, 23 qershor / ATSH, Behar Fejzulla/- " Po punojmë që bujqësinë ta kthejmë nga një ekonomi jashtë tregut, që ka shërbyer për mbijetesën e familjeve të fermerëve, në një ekonomi të integruar plotësisht në treg", tha sot ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli gjatë takimit me fermerë të komunës së Dvoranit dhe specialistë të bujqësisë të rrethit të Korçës. Ministri Ruli duke vizituar një pemtore të re të subvencionuar nga shteti të fermerit Spiro Stavre dhe një fabrikë për përpunimin e fruta-perimeve në Dvoran, fshat i njohur për zhvillimin e pemëtarisë, tha se "synimi ynë është që çdo zonë të specializohet me ato prodhime që ka traditë, rendimentin dhe produktivitetin më të lartë". Duke nënvizuar detyrimet konkrete në kushtet kur vendi shumë shpejt pret të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, i cili jep rreth 50 miliardë euro në vit ndihmë për bujqësinë dhe ushqimin si ndihma, ministri Ruli bëri të ditur se "duke filluar nga viti 2012, ne do të jemi përfitues të këtyre fondeve në mbështetje të bujqësisë". Ministri, Ruli theksoi se këtë vit qeveria shqiptare i ka dyfishuar subvencionet për bujqësinë, ku rajoni i Korçës ka përfituar 2 miliard lekë subvencione. Fermeri Spiro Stavre tha se ka mbjellë 2.5 ha pemtore me mollë, ku shteti ka subvencionuar blerjen e fidanave dhe sistemin e ujitjes me pika, dhe është asistuar nga specialistët e bujqësisë. Stavre u shpreh i bindur se do të sigurojë prodhime të larta për tregun dhe të ardhura të larta për familjen e tij. Ministri Ruli vizitoi edhe fabrikën e re të përpunimit të fruta-perimeve ngritur prej një nga fermerët e fshatit, duke përfituar edhe subvencion nga shteti të pagesave të interesave të kredisë bankare për ndërtimin e saj. "Nga vizitat që kam bërë në të gjithë vendin, kam dalë në konkluzion se po shkëputemi përfundimisht nga punishtet me teknologji të dorës së dytë dhe të vjetëruar dhe e quaj inteligjencë të biznesit shqiptar që ble dhe aplikon teknologjinë më të fundit. Teknologjia e fundit, si kjo këtu, duket më e shtrenjtë, po në të vërtetë është kosto më e ulët, është e aftë për të konkuruar në treg", tha Ruli. Gjatë vitit 2010 në rajonin e Korçës kanë përfituar subvencione për mbjelljen e pemtoreve të reja 420 fermerë, të cilët kanë mbjellë 200 ha pemtore. Në dy vitet e fundit në Rajonin e Korçës janë ndërtuar 22 frigoriferë për ruajtjen e prodhimeve bujqësore dhe disa fabrika agropërpunuese, të cilave shteti u ka subvencionuar interesat e kredive bankare. Ministri, Ruli bëri të ditur se janë në përfundim procedurat e tenderit për thellimin e lumit të Devollit për të shmangur në të ardhmen përmbytjet në Fushën e Maliqit. Qeveria ka bërë vendimin dhe brenda pak ditësh do të fillojë edhe çdëmtimi i tokave të përmbytura gjatë stinës së dimrit në këtë fushë për të gjithë fermerët, tha ai./n.m/
KOMENTE