English

Soft News - Holandë - ''Mos Më Shqetësoni'' ... Kufomë Që Në Vitin 2006!

HAGË, 23 qershor /ATSH-AFP/ - Kufoma e një burri, i cili kishte vdekur në vitin 2006 në moshën 50 vjeç, u zbulua mbrëmjen e djeshme në shtratin e dhomës së tij, në shtëpinë në qytezën veriore holandeze Minnertsga, ku banonte së bashku me katër motra dhe vëllezër, të cilëve u kishte urdhëruar të mos e shqetësonin, njoftuan sot burime policore holandeze. "Ka katër vjet që u kishte thënë motrave dhe vëllezërve të tij që nuk donte të shqetësohej nga askush dhe kishte hyrë në dhomën e tij", deklaroi për AFP Wouter de Vries, zëdhënësi i policisë. Motrat dhe vëllezërit të moshave nga 44 deri në 71 vjeç të cilët jetonin në të njëjtën shtëpi me të, nuk e kishin hapur kurrë derën e dhomës që prej vitit 2006, ndërkohë që kalonin para dhomës çdo ditë, deklaroi De Vries. "Ai ishte një person që irritohej dhe acarohej jashtëzakonisht shumë shpejt dhe që i ishte bërë zakon ti bindeshin pa diskutuar urdhrat e tij dhe anëtarët e familjes së tij nuk e kishin shqetësuar më fare përgjatë katër viteve", sqaroi zëdhënësi. Trupi i burrit të vdekur u zbulua sepse pronarët e shtëpisë vendosën të kryenin disa punime mirëmbajtëse dhe riparime në dhomën ku ndodhej ai. "Një kufomë mund të prodhojë një aromë jashtëzakonisht të rëndë dhe të padurueshme, është vërtet shumë e çuditshme që motrat dhe vëllezërit nuk kishin kuptuar asgjë",vazhdoi zëdhënësi, i cili theksoi se policia kishte përjashtuar për momentin hipotezën e kryerjes së një krimi nga anëtarët e familjes./ /i.p/
KOMENTE