English

Sport-Botëror/ Grupi C, Shba Kualifikim Në Minutën E Fundit

TIRANË, 23 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Kur dukej se të gjitha shanset kishin marrë fund, "ëndrra amerikane" realizohet në minutën 92-të me golin e Landon Donovan, i cili kaloi SHBA-në në avantazhin 1-0 në ndeshjen kundër Algjerisë. Goli i Donovan, jo vetëm i dha fitoren skuadrës, por siguroi edhe kalimin në fazën e dytë. Nga kjo ndeshje dhe nga kampionati largohet e zhgënjyer Algjeria, e cila mbeti në fund të Grupit C vetëm me 1 pikë, të marrë nga barazimi historik me Anglinë. Amerika e kërkoi golin e fitores gjatë gjithë takimit, por dy herë shtyllat dhe një herë arbitri i mohuan avantazhin amerikanëve. Dempsey ishte më aktivi për SHBA-në, ndërkohë që Altidore, Donovan dhe Bradley u përpoqën gjatë gjithë takimit të shënonin në portën algjeriane. Fitorja minimale jo vetëm që e kualfikon SHBA-në, por e nxjerr atë edhe në vend të parë me 5 pikë si pasojë e golaverazhit 4-3, më të mirë se anglezët që e kanë golaverazhin 2-1 dhe kanë po 5 pikë si amerikanët. Ndeshjen tjetër SHBA do ta luajë ndaj skuadrës që kualifikohet në vendin e dytë në grupin D, ku bëjnë pjesë Gjermania, Gana, Serbia dhe Australia. Grupi C SHBA - Algjeri 1-0 Shënues: Donovan 92' SHBA (4-4-2): Houard, Cerundolo, De Merit, Bocanegra, Bornstein; Donovan, M. Bradley, Edu (Buddle), Dempsey; Altidore, Gomez (Feilhaber). Trajner: Bob Bradley Algjeria (3-4-2-1): M'bouli, Bougherra, Halliche, Yahia; Kadir, Yebda, Lacen, Belhadj; Ziani (Guedioura), Matmour; Djebbour (Ghezzal). Trajner: Saadane. /a.ke/
KOMENTE