English

Sport-Botëror/ Grupi D, Situatë E Komplikuar Për Të Katër Ekipet

- Gjermania duhet të fitojë patjetër me Ganën që të shmangë eliminimin - TIRANË, 23 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ . - Gjermania e çoi veten në një pozicion të çuditshëm përpara ndeshjes së fundit në grupin D. Tri herë kampionët e botës duhet të fitojnë me Ganën në grupin D për të avancuar në fazën tjetër të Botërorit të Afrikës së Jugut, përndryshe do të eliminohen për herë të parë në fazën e grupeve në historinë e tyre në Kupën e Botës. Gjermania është eliminuar në raundin e parë në vitin 1938, por atëherë nuk kishte fazë grupesh. Ekipi i Johakim Lëvit është stërvitur i qetë, teksa nuk munguan të qeshurat dhe shtrëngimet e duarve në një lloj "regbie" brenda ekipit. Gjermania është dukshëm favorite ndaj Ganës (4 pikë), edhe pse ganezët pas dy takimeve kanë një pikë më shumë se gjermanët (3 pikë). Para fillimit të Botërorit, Gjermania shihej si favorite për të kapur vendin e parë, ndërkohë që për vendin e dytë do të luftohej midis Serbisë dhe Ganës. Gjermanët e nisën me një ndeshje të shkëlqyer, 4-0 kundër Australisë. Një tjetër fitore pritej kundër Serbisë, por Gjermania humbi 1-0 edhe pse dominoi në gjuajtje (16-10) dhe në kohën e zotërimit të topit (58-42 për qind). Trajneri Johakim Lëv do të bëjë ndryshime, duke marrë në konsideratë faktin se Miroslav Klose është i pezulluar për këtë ndeshje. Lëv mund të hedhë një formacion të rreshtuar në 4-4-2, me Filip Lahm dhe Arne Fridrish në krahët e mbrojtjes; Mertesaker dhe Holger Badshtuber në qendër të mbrojtjes, Sami Khedirën dhe Toni Krosin në mesfushë, Bastian Shvajnshtajger dhe Mezut Ozil nga krahët. Lukas Podolski dhe Zheronimo Kakau do të jenë në sulm. "Unë jam i bindur se ne do të kalojmë në raundin tjetër", theksoi Lëv, duke shtuar se skuadra ka mentalitetin e duhur dhe askush në Gjermani nuk e imagjinon se skuadra e tyre do të eliminohet qysh në raundin e parë. Edhe Gana e nisi me fitore këtë turne, duke fituar 1-0 me Serbinë dhe barazuar 1-1 me Australinë. Gana udhëheq me katër pikë dhe ka nevojë për një barazim për të avancuar. Gana është një nga ekipet më të fuqishme të Afrikës, dhe pritet në ndeshjen kundër Gjermanisë të luajë me një sulmues. Ndeshja është speciale për vëllezërit ganezë, Kevin dhe Zherom-Prins Boateng. Kevin luan për Ganën dhe do të luajë si titullar, ndërkohë që Zherom për Gjermaninë, por nuk pritet ta nisë nga fillimi. Marrëdhëniet midis dy vëllezërve u përkeqësuan muajin e fundit, kur Kevin goditi në kavilje Mikael Balakun në ndeshjen për Kupën e Anglisë, duke i mohuar kapitenit të Gjermanisë pjesëmarrjen në Botëror. Tani armiku numër 1 i tifozëve gjermanë ka mundësinë për te qenë njeriu më i urryer në Gjermani, nëse Gana do të eliminojë Gjermaninë. "Ndeshja me Gjermaninë do të jetë speciale për mua, por kur ju jeni në fushë gjatë 90 minutave ju dëshironi të bëni një gol më shumë se kundërshtari", tha Boateng. Serbia, nga ana e saj, është në një pozicion të mirë për të avancuar midis16 më të mirave, pasi përballë do të ketë Australinë që ende s'ka arritur asnjë fitore. Serbia humbi 1-0 me Ganën, e ndjekur kjo me fitoren kundër Gjermanisë. Fitorja erdhi edhe nga largimi me karton të kuq të Miroslav Klose, ndërsa gjermanët humbën edhe penalltinë e parë që nga Botërori i vitit 1974. Gjithsesi, Serbia do të synojë fitoren kundër Australisë dhe do të kualifikohet me çfarëdo rezultati që të përfundojë Gjermani-Ganë. Australia e nisi me një humbje 4-0 me Gjermaninë, por barazuan me Ganën 1-1, duke ndihmuar gjermanët të shpresojnë në një kualifikim të mundshëm. Gjithsesi, Australia mund të kualifikohet në rast se mund Serbinë dhe Gana mund Gjermaninë./s.s./
KOMENTE