English

Sport-Futboll/ Edmond Kapllani, Një Shans I Dytë Tek Augsburg

URG TIRANË, 23 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima / .- Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, pasi ka kaluar pushimet e verës në Spanjë me familjen e tij, është kthyer në Gjermani dhe tani pret fillimin e stërvitjes në 27 qershor me skuadrën e tij FC Augsburg. Kapllani synon të jetë në formën e tij më të mirë pasi ky është shansi i tij i dytë dhe sigurisht i fundit te skuadra e Ligës së dytë gjermane. Në fakt lidhja mes Kapllanit dhe Augsburg u duk se do të prishej menjëhere sapo filloi. Në verën e vitit 2009 Kapllani u largua nga Karlsruher SC që ra nga Bundesliga dhe zgjodhi FC Augsburg për të vazhduar karrierën e tij në Bundesliga II. Por te skuadra e tij e re ai nuk arriti asnjëherë të bindte trajnerin dhe kështu, pas një qëndrimi të gjatë në stol dhe vetëm 2 aktivizimeve, u largua në formë huaje për te rivalët e TuS Koblenz. Kapllani kërkonte të gjente përsëri formën e tij më të mirë, që e arriti me Karlsruher SC në sezonin 2006/07, kur shënoi 17 gola në Ligën e Dytë dhe ishte një nga arsyet kryesore për ngjitjen në Bundesligë të skuadrës. Së bashku me Giovanni Federico, ishin dyshja sulmuese më e rrezikshme e kampionatit. Por ndërsa Federico përfitoi nga ajo paraqitje e mirë dhe shkoi te Dortmund, Kapllani nuk arriti të hidhte hapa të tjerë në karrierën e tij. Sezoni i tij i parë në Bundesligë ishte një zhgënjim. Trajneri Edmond Becker, megjithëse kishte të njëjtin emër me sulmuesin shqiptar, nuk e preferonte më atë në sulmin e tij. Kapllani qëndroi më shumë në stol sesa në fushë, kështu që vendosi të shikonte mundësi të tjera ku mund të luante. Kjo na sjell perseri te transferta e tij per te FC Augsburg, ku si Kapllani, ashtu edhe drejtuesit e skuadres se re, shpresonin per shume aktivizime dhe gola. Por golat do te vinin vetem pas largimit te tij me hua drejt TuS Koblenz. Aty ai shenoi 5 gola ne 17 ndeshje në gjysmen e dyte te sezonit, duke treguar shenja të ringjalljes dhe nuhatjes së golit. Kjo është arsyeja pse trajneri i Augsburg shpreson se ai mund të jetë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën. "Nuk ka rëndësi se çfarë ndodhi vitin e kaluar. Kapllani është një lojtar i skuadrës si gjithë të tjeret dhe do të ketë të njëjtin shans për një vend titullari", tha trajneri Luhukay për mediat gjermane. "Te Augsburg nuk ka asnjëherë një vend titullari të garantuar pasi është një skuadër që lufton për t'u ngjitur në Bundesligë" shtoi ai. Edhe Kapllani ishte i të njejtit mendim. Ai tha për mediat gjermane se nuk mendonte më për problemet e vitit të kaluar mes tij dhe trajnerit dhe se synimi i tij ishte që të luante dhe të shënonte gola për Augsburg në sezonin e ri. Forma e mirë në fund të sezonit që sapo u mbyll e ktheu Kapllanin edhe në Kombëtaren shqiptare dhe nëse ai vazhdon të tregojë po atë formë edhe te Augsburg, do të jetë një plus i madh edhe për kuqezinjtë që i kanë të kufizuara zgjedhet në repartin ofensiv për eliminatoret e Kampionatit Europian./s.s./
KOMENTE