English

Sport-Futboll/ Zte, Rivalja Hungareze E Tiranës Në Europa League

- Në historinë e saj ndërkombëtare, ZTE ka fituar 1-0 me Mançester Junaitid në edicionin 2002-2003 të Ligës së Kampioneve - TIRANË, 23 Qershor/ATSH- Gjergji Mima/ - Kundërshtari i Tiranës në Europa League, Zalaegerszegi Torna Egylet (ZTE), u rendit në vendin e pestë sezonin e kaluar në kampionatin hungarez, duke koleksionuar 53 pikë në 30 ndeshje (15 F, 8B, 7H). President i skuadrës është Ferenc Nagy, ndërsa trajner është Janosh Csank (54 vjeç), një ish-portier dhe një nga trajnerët më të suksesshëm në Hungari (ish-trajner i Ferencvaroshit). Fanellat zyrtare i ka të bardha. Ndeshjet i luan në stadiumin "Ground ZTE Arena" (14 mijë vende). Zalaegerszegi Torna Egylet është ekipi i qytetit hungarez Zalaegerszeg, në kohën kur ishte ende gjallë perandoria austro-hungareze. Është themeluar në vitin 1912 (Tirana, në vitin 1920). Skuadra bëri bujë nën drejtimin Jozef Vadash. Historia në kampionat nis në vitin 1924, kur Zalaegerszegi ishte pjesë e kategorisë së dytë hungareze. Në vitin 1934 fitoi titullin e këtij kompeticioni dhe u bë pjesë e elitës së futbollit hungarez. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nën regjimin e admiralit Miklos Horthi fusha dhe pajisjet e skuadrës u konfiskuan. Pas luftës, në vitin 1957, ZTE u shkri me dy ekipe të tjera lokale, duke sinjalizuar rilindjen e klubit. Nga ai vit deri në fillim të viteve 1990, ZTE nuk ishte një ekip me pretendime. Kampionati dominohej nga klubi i kryeqytetit hungarez, Ferenvarosh i Budapestit. Në vitin 1994, ZTE fitoi një vend midis ekipeve më të mira të Hungarisë, ndërsa në sezonin 2001-2002 fitoi titullin e parë kampion, duke lënë pas Ferencvaroshin. Shkëlqimi zgjati shumë pak, pasi u rendit në sezonet pasardhëse në vendet e ulëta të renditjes. Në historinë e saj ndërkombëtare, ZTE, eliminoi në Ligën e Kampionëve kampione e Kroacisë, NK Zagreb (me gol në fushën kundërshtare) në turin e dytë dhe në turin e tretë takoi Mançester Junaitid, duke arritur një fitore historike në Hungari 1-0 me golin e minutave të fundit nga Bela Koplarovics. Megjithatë, në ndeshjen e kthimit humbi 5-0 në "Old Traford", duke u eliminuar nga vazhdimi i kompeticionit. Në Ligën e Kampioneve (1 paraqitje) ka zhvilluar 4 ndeshje: 2 fitore, 2 humbje (3-7 golat, një tur i kaluar). Në Kupën UEFA (1 paraqitje) ka bilanc negativ: 2 ndeshje, 2 humbje (1-9 golat). Edhe në ish-kupën Intertoto ka bilanc negativ: 2 ndeshje, 2 humbje (0-5 golat). Në skuadrën që mbylli sezonin e kaluar, përveç lojtarëve hungarezë, numërohen edhe dy lojtarë serbë, dy sllovenë, një malazes, një letonez, një sllovak, një boshnjak, por dhe një holandez me origjinë indiane (Princ Rajkomac)./s.s./
KOMENTE