English

Sport-Gjimnastikë/ Ekipi Shqiptar Fiton Kupën Në Aktivitetin Ndërkombëtar Të Italisë

TIRANË, 23 Qershor/ ATSH- Gjergji Mima/- Një ekip shqiptar i gjimnastikës ritmike mori pjesë në një aktivitet evropian, të organizuar nga Confsport Italia, "Festa e XII Evropiane e Gjimnastikës dhe Trofeu Nacional i gjimnastikës Ritmike", i cili u zhvillua në Chianciano, të Romës. Ekipi shqiptar në përfundim të aktivitetit meritoi Kupën e aktivitetit për përformancë cilësore të elementëve gjimnastikore dhe dancit gjimnastikor, saktësia e sinkronizimi i lëvizjeve .Gjimnastja Aurora Isaku meritoi medalje argjendi në gjimnastikën ritmike me fjongo. "Shqipëria mori pjesë për herë të parë me një grup të madh dhe me disa displina ushtrimesh. Grupi mix, i përbërë nga gjimnaste femra e meshkuj, sportistë të aerobisë dhe dancit, ekzekutuan tre kompozime, ushtrime në grup gjimnastike artistike, treshe në danc kontemporan dhe solo me fjongo në gjimnastikë ritmike", tha sot për ATSH-në Sekretarja e Përgjithshme e FSHGJ-së, Fatbardha Shtrepi. Ajo bëri të ditur se "performanca e ekipit shqiptar u vlerësua jo vetëm nga juria e aktivitetit, por dhe u duartrokit nga të gjithë të pranishmit, që shprehën vlerësimet e tyre". Përfaqësimi i Shqipërisë në gjimnastikën ritmike, një disiplinë olimpike, e cila ka qenë e mbyllur 4 vitet e fundit, ishte një tjetër sukses që i dedikohet trajneres së apasionuar Natasha Kotorri, që për një periudhë të shkurtër kohore përgatiti sportistë të cilët konkuruan denjësisht. Sipas Shtrepit, "në këtë aktivitet morën pjesë 39 grupe përfaqësuese të shteteteve, shoqatave e klubeve nga Australia, Amerika, Rusia, Mali i Zi, Zvicra, Italia, Shqipëria, etj". Muaji qershor ishte një muaj intensiv për gjimnastikën shqiptare, me pjesëmarrje në dy aktivitetete të suksesshme ndërkombëtare, një i gjimnastikës artistike, ku vajzat e reja merituan disa vende nderi në aktivitetin rajonal si dhe aktiviteti i gjimnastikës së përgjithshme dhe ritmike, ku u përsërit i njëjti sukes. Ndërkohë është zhvilluar dhe Kampionatit Kombëtar i Gjimnastikes Artistike, i cili nxori dhe kampionët kombëtarë për vitin 2010. "Federata Shqiptare e Gjimnastikës po realizon objektivat për ringjalljen e gjimnastikës në të gjithë disiplinat e saj", tha Shtrepi./s.s./
KOMENTE