Topalli: Rezoluta E Pe-Së Për Vizat, Lajm Shumë I Mirë Për Shqiptarët
- Gjatë një takimi me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Gossruck -
TIRANË, 23 Qershor/ATSH/.- "Rezoluta e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në mbështetje të liberalizimit të vizave me Shqipërinë është një lajm shumë i mirë për shqiptarët", u shpreh sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në filllim të takimit me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfang Gossruck, i cili ndodhet sot në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, kryeparlamentarja falenderoi z. Grossruck për mbështetjen që PE dhe Parlamenti austriak i japin Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të saj.
Kryeparlamentarja vuri në duke se shqiptarët e meritojnë lëvizjen e lirë në Evropë, në përgjigje të reformave dhe transformimeve të thella, që kanë bërë në një kohë kaq të shkurtër. "Parlamenti Europian, i kërkoi sot opozitës të japë kontributin e saj dhe të mbështesë reformën në drejtësi", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Ajo theksoi se "për shqiptarët dhe biznesin është e rëndësishme që opozita të votojë, sikurse e kërkoi sot dhe PE në rezolutën e saj, edhe ligjin për Gjykatën Administrative."
Nga ana e tij, z. Gossruck uroi Kryetaren e Kuvendit dhe gjithë shqiptarët për rezolutën e Parlamentit Evropian, duke theksuar se shqiptarët, Qeveria dhe Parlamenti kanë bërë një punë shumë të madhe.
Pasi e njohu zyrtarin e lartë të OSBE-së me punën e Qeverisë në përmbushjen e standardeve evropiane, kryetarja Topalli vlerësoi se jeta parlamentare në Shqipëri ecën me një axhendë intensive dhe opozita drejton disa komisione.
Në vijm të bisedës, z. Gossruck i bëri me dije kryetares Topalli nismën që Parlamenti austriak ka ndërmarrë për promovimin e Shqipërisë, ku në muajin tetor do të zhvillohet programi "Ditët e Shqipërisë." Duke e ftuar znj. Topalli të marrë pjesë në këtë aktivitet, Gossruck tha se institucionet austriake janë veçanërisht të interesuar për të promovuar Shqipërinë dhe produktet e saj në të gjitha fushat. /a.s/s.s./