Prishtinë, 23 qershor, NOA - Pushtimi i tregut të Kosovës nga mallrat serbe, përbën një dëm politik dhe ekonomik për këtë vend.
Një fakt të tillë e kanë theksuar aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët kanë organizuar një tryezë të posaçme që për temë kishte dyndjen e mallrave serbe në Kosovë.
“Serbia përveç strukturave paralele, është e pranishme edhe në tregun e Kosovës me mallrat e saj”, tha Visar Ymeri, drejtues i Komitetit për Ekonomi në “Vetëvendosje, i cili prezantoi në mënyrë kronologjike se si nga viti 1999 e deri më 2009, Kosova ka importuar mall nga Serbia në vlerë prej 1 miliardë e 683 milionë eurosh.
“Problem të veçantë paraqet marrëveshja e CEFTA-s e cila e obligon Kosovën ta ketë tregun e hapur për këto mallra, derisa mallrat e Kosovës nuk lejohen as të kalojnë tranzit nëpër Serbi, për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën e rrjedhimisht as dokumentacionin për transportim të mallit. Kjo e vë Kosovën në pozitë shumë te disfavorshme ekonomike dhe me një deficit shumë të lartë tregtar e pa mbrojtje të nevojshme të prodhimit vendor”, shtoi ai.
Sipas Ymerit, janë disa degë të industrisë në të cilat Kosova ka potencial të madh, ndër to pasuria nëntokësore e saj me linjit, plumb, zink e bakër, industria e pjesëve automobilistike, bujqësia si dhe industria e tekstilit.
Në fund të takimit u tha sesi meqenëse mallrat kryesore serbe janë ushqimore dhe produkte barërash, kjo paraqet një rrezik të veçantë për popullatën e Kosovës.
Përmendim këtu importin e barërave me afat të skaduar nga kazermat e ish-Armatës Jugosllave si dhe linjën e veçantë të fabrikës ushqimore ”PKB” për prodhimet që eksportohen në Kosovë, prodhime këto që kanë materie të rrezikshme të cilat janë shkaktarë direkt të sterilitetit dhe sëmundjeve kancerogjene.
n.e/NOA