Withers: Apel Për Të Përmirësuar Kushtet E Jetesës Së Romëve
TIRANË, 23 Qershor/ATSH/.- Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, apeloi sot për pëmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom në Shqipëri.
Pas një takimi me banorë të këtij komuniteti që jetojnë në rrethinat e Tiranës, ambasadori amerikan shprehu keqardhjen për "kushtet e vështira ku jetojnë romët".
"Unë mund të reflektoj atë që Sekretarja e Shtetit, znj. Klinton dhe Qeveria amerikane kanë thënë se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet vendore, për të bërë gjithçka që është e mundur, për të siguruar të drejtat e njeriut për komunitetin rom", u shpreh kryediplomati amerikan në Tiranë.
Ai tha se vizita e sotme pranë banorëve romëve e ndihmoi për të parë dhe ilustruar situatën e këtij komuniteti, si dhe mënyrat për t'i ndihmuar.
"Jam në dijeni të hartimit të një plan-veprimi për të ndihmuar komunitetin rom dhe për këtë do të kërkoja vëmendjen e atyre që janë përgjegjës për ta zbatuar këtë plan, në mënyrë që të bashkëpunojmë së bashku dhe ta përmirësojmë situatën e rënduar", u shpreh Withers.
Aktualisht, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta po zbaton strategjinë "Për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom", që përfshin arsimin shkollor dhe parashkollor të fëmijëve të këtij komuniteti, punësimin, strehimin etj./a.s/ /s.s./