Shkup, 24 Qershor, NOA - Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vazhdon të mbetet i qetë, pa tronditur koalicionin me VMRO-DPMNE-në.
Brenda partisë së tij zbulojnë skenarë të përgatitur, i cili ka për qëllim të mbyll tre çështjet e kërkuara nga Ahmeti, por duke mos qenë të sigurt se Gruevski a do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) më nuk jep afate sikur muajve të kaluar, por zyrtarët e kësaj partie theksojnë se kanë një agjendë të heshtur, e cila ka për qëllim mbylljen e tre kërkesave të parashtruara kohë më parë nga lideri i tyre, Ali Ahmeti.
Mbyllja e rasteve të Hagës, mbyllja e rastit të Sopotit si dhe ligji për përkujdesje institucionale për UÇK-në janë prioritetet e “integristëve”, ndërsa për to po zhvillohen takime interne midis krerëve më të lartë të këtyre dy partive.
Burime të larta partiake pranë kësaj partie kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve INA se ska zgjedhje të parakohshme, pa i mbyllur çështjet e hapura midis partnerëve të koalicionit dhe se për këtë kanë marrë edhe garanci nga faktorët ndërkombëtarë.
Me nismën e deputetëve të BDI-së gjatë muajit të ardhshëm do ti dorëzohet Parlamentit iniciativa për miratimin e një vendimi për interpretim autentikë të Ligjit për Amnisti, i cili do të duhet të marrë përkrahjen e gjitha forcave politike për të hequr dorë nga gjykimi i rasteve të kthyera nga Tribunali i Hagës.
Ahmeti siç merret vesh, përveç mbështetjes ndërkombëtare, ka siguruar pjesërisht një mbështetje edhe nga partitë maqedonase.
Rasti i Sopotit dhe lirimi i të burgosurve të këtij fshati pritet të ndodhë me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila do të rikthej në rigjykim tërë procesin, ndërsa të burgosurit gjatë procedurës do të lirohen, ashtu siç është paraparë edhe me rekomandimet e Komisionit parlamentar për rastin e Sopotit.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi ka nënvizuar se ka marrëveshje midis partnerëve edhe për Ligjin për përkujdesje institucionale për UÇK-në, por duke mos dhënë detaje dhe afatin e saktë të mbylljes së kësaj çështje të ndjeshme për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.
“Kjo është temë për të cilën kemi marrëveshje politike dhe shpresojmë që edhe për këtë do të arrijmë një marrëveshje shumë shpejt", ka theksuar Ademi. Kreu i partisë shqiptare në pushtet nuk jep afate se a do mbyllen këto kërkesa të tyre para pushimeve verore apo nga fillimi i shtatorit.
NOA-INA