English

Basha me homologen austriake: Përpjekjet tona, jo pjesë e një fushate

Tiranë, 24 qershor 2010 NOA/ I plotë - U përurua sot në Tiranë ngritja e Njësisë së Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit(ILECU), projekt i financuar nga Komisioni Europian për zhvillimin organizativ në institucionet e policisë dhe drejtësisë në Europën Juglindore, që implementohet nga Zyra e Krimeve Federale të Austrisë.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë Ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha dhe e ftuara e nderit, Ministrja e Brendshme e Republikës Federale të Austrisë Znj. Maria Fekter.

Ishin të pranishëm gjithashtu Ministri i Drejtësisë Z. Bujar Nishani dhe Prokurorja e Përgjithshme Znj. Ina Rama.

“Shqipëria bëhet vendi i parë përfitues i këtij projekti, që në përputhje me parashikimet përfundon brenda një kohe rekord ngritjen e ILECU-t, duke demonstruar prerë dhe qartë vullnetin e hekurt, vendosmërinë dhe kapacitet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar për të qëndruar gjithnjë pararojë e proceseve reformuese në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit”, - u shpreh Ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha.

Duke nënvizuar se shembulli më i freskët i vlerësimit të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë ishte rekomandimi i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, ministri Basha u shpreh se edhe zbatimi i këtij projekti do të shërbejë si një shtytje për të vazhduar rrugën e reformave dhe konsoliduar rezultatet e arritura.

“Ju garantoj se këto përpjekje nuk janë pjesë e një fushate me një fillim dhe një mbarim dhe ndonëse procesi i liberalizimit të vizave është qartësisht në rezultat i prekshëm për qytetarët shqiptarë, i përpjekjeve dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, përpjekjet tona që kanë filluar para se ky proces të konkretizohet politikisht do të vazhdojnë me të njëjtën vendosmëri edhe pasi ky proces të bëhet realitet me vendimin e shumëpritur dhe besoj të shpejtë të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë”, - deklaroi në fjalën e tij ministri Basha.

Ministrja e Brendshme e Republikës Federale të Austrisë Znj. Mari Fekter vlerësoi në fjalën e saj se zbatimi i projektit ILECU në Shqipëri do të lehtësojë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, krimit ekonomik e po kështu bashkëpunimin për parandalimin e terrorizmit.

“Zbatimi i këtij projekti është një gur themeli në politikën e sigurisë së vendit dhe në bashkëpunimin policor me Europën dhe gjithashtu me Austrinë. Me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit Shqipëria i dërgon Europës një sinjal të qartë. Me këtë projekt Shqipëria dëshmoi se është një vend model që duhet marrë shembull”, - deklaroi Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Maria Fekter.

Memorandumi i Bashkëpunimit për koordinimin ndërkombëtar për zbatimin e projektit ILECU, është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Financave dhe Prokurorja e Përgjithshme.

r.n/NOA

KOMENTE