Tiranë, 24 Qershor, NOA – Qeveria shqiptare ka vullnet të hekurt për luftën ndaj krimit dhe e ka vendosur atë si një ndër prioritetet e saj kryesore në procesin e përmbushjes së kritereve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe ecurisë së procesit të integrimit në tërësi.
Një fakt të tillë e ka bërë sot me dije ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë ceremonisë së inaugurimit të një task-force të përbashkët ndërmjet Shqipërisë e Austrisë për bashkëpunimin në luftën kundër krimit.
"Projekti përfundon në një kohë rekord dhe kjo tregon se sfidat tona janë gjithmonë në rritje", u shpreh ai, për këtë projekt të financuar nga Komisioni Europian.
E pranishme në këtë konferencë, ishte edhe ministrja e Brendshme e Austrisë, Maria Fekter, e cila u informua nga homologu i saj Basha mbi arritjet e deritanishme në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, në fushën e sigurisë së kufijve dhe në fushën e dokumentave.
Ndërkaq, dje gjatë një deklarate të përbashkët, Fekter i ka komunikuar Bashës qëndrimin zyrtar të Austrisë për mbështetjen e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.
n.e/NOA