English

Berisha: Garantoj opozitën për çdo të drejtë në interes të integrimit të Shqipërisë

Tiranë, 24 qershor, NOA - "Mbetem i vendosur të respektoj çdo vendim të opozitës shqiptare, të drejtat e saj dhe jam i hapur për t’i garantuar asaj çdo të drejtë që i takon me ligj".

Kështu e ka garantuar sot në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Sali Berisha, kryetarin e Partive Popullore Europiane, Jozef Daul.

“E informova zotin Daul, se për ligje, të cilat duhet t’i kalojmë së bashku, qeveria garanton që do të pranojë çdo amendament që sjell opozita, gjë që vlen edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, për të cilat qeveria është e vendosur të pranojë çdo amendament të propozuar nga opozita, që t’i sigurojë asaj pjesëmarrjen në zgjedhje”, deklaroi kreu i qeverisë.

Lidhur me negociatat që europarlamentarët kanë ndërmarrë me liderin e Opozitës dhe atë të Mazhorancës, për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, kryeministri Sali Berisha tha se “kam preferuar të mbaj heshtje të plotë për të gjitha takimet, që kanë qenë pozitive, por dua t’u garantoj se qeveria në këto takime nuk ka mbajtur qëndrime revanshi ndaj opozitës, por është përpjekur të bëjë maksimumin për të arritur kompromiset brenda parimeve kushtetuese, shtetit ligjor”, qëndrime të cilat sipas kryeministrit, kanë patur mbështetjen e kryetarit të PPE-së, Jozef Daul dhe europarlamentarëve të tjerë.

Kryeministri Berisha, i shprehu mirënjohjen presidentit Daul, për mbështetjen e grupit që ai drejton, në votimin dhe miratimin e rezolutës për Shqipërinë, duke vendosur kështu për heqjen e vizave me Shqipërinë.

“Ky ishte një votim i madh për shqiptarët, ndaj qeveria garanton se do të plotësojë të gjitha kushtet që PE, kërkon për një integrim të sigurt të Shqipërisë në BE”, theksoi kreu i mazhorancës.

“Strasburgu dhe Brukseli funksionuan në mënyrë të plotë. Ai votim me shumicë i rezolutës ishte një proces në tërësinë e tij thellësisht i suksesshëm, ku të gjithë europarlamentarët, sipas kryeministrit u angazhuan për të ndihmuar demokracinë shqiptare, proces i cili bëri të mundur votën historike të rezolutës në PE”, vijoi deklarimet e tij kryeministri.

Kryeministri tha se gjatë takimit e njohu presidentin Daul, me përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, trafikimit, larjes së parave, ligje të tjera të rëndësishme, marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës, dhe se e garantoi europarlamentarin për përmbushjen e të gjitha kushteve.

Mit/NOA
KOMENTE