English

Berisha: Maxhoranca E Hapur Për Bashkëpunim Intensiv Me Opozitën

- Në konferencën për shtyp me Presidentin e PPE, Joseph Daul, Kryeministri Berisha shprehet i hapur për të votuar çdo amendament të opozitës për Kodin e ri Zgjedhor- TIRANË, 24 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha garantoi sot, se mbetet i vendosur të respektojë çdo vendim dhe të drejtë të opozitës shqiptare dhe u shpreh i hapur për format më intensive të bashkëpunimit me të. Kreu i Qeverisë priti sot në një takim Presidentin e Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, që ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që opozita është sot në parlament. "Unë informova Presidentin Daul se për ligjet që duhet ti kalojmë së bashku, qeveria ka vullent të plotë të pranojë çdo amendament që do sjellë opozita, si një kusht që të gjejnë veten të gjitha forcat politike", tha Kryeministri. Kryeministri Berisha siguroi se "për zgjedhjet e ardhshme qeveria është e vendosur të pranojë çdo amendament që opozita e konsideron të nevojshëm, për ti dhënë asaj sigurinë më të madhe të mundshme në pjesëmarrjen në zgjedhje". Duke përshëndetur votimin e djeshëm të Komisionit të Jashtëm të PE-së për liberalizimin e vizave për vendin tonë, Kryeministri Berisha tha se "ky ishte një votëbesim i madh mbi shqiptarët", ndërsa falënderoi "gjithë miqtë e Shqipërisë, por edhe deputetët e gjithë spektrit politik në Bruksel, të cilët votuan për të mbështetur heqjen e vizave për Shqipërinë". Ai garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo gjë dhe të plotësojë të gjitha kërkesat e KE-së. Kryeministri Berisha informoi mbi përpjekjet e qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, larjes së parave dhe konsolidimin e institucioneve. Në vijim, Kreu i Qeverisë shprehu mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që parlamentarët e PPE-së dhe qeveritë e tyre i kanë dhënë kombit shqiptar gjatë gjithë këtyre viteve në përpjekjen e madhe për ndërtimin e një shoqërie të lirë, të bazuar në solidaritetitin njerëzor dhe vlerat e tregut. Kryeministri Berisha informoi mbi përpjekjet e PD-së, si në pushtet ashtu edhe në opozitë për të zhvilluar në këtë vend vlerat e përbashkëta të qendrës së djathtë. "Ishin këto vlera që ndihmuan vendin të dalë nga gremina e historisë dhe të bëhet një vend me demokraci dhe ekonomi tregu funksionale", tha Berisha. Duke renditur ndër arritjet, shkëputjen e vendit nga grupi i vendeve të varfra, anëtarësinë në NATO, Kryeministri tha se "Shqipëria ecën me hapa të sigurta bazuar në meritën drejt integrimit të plotë në BE. Në këtë përpjekje të vështirë, PD dhe qeveria e saj ia ka dalë për shkak të mbështetjes së partive simotra të PPE-së". Qeveria shqiptare, tha Berisha, e konsideron procesin e integrimit europian si një proces që duhet të ecë tërësisht i bazuar mbi meritën dhe performancën. Presidenti i Grupit të partive Popullore Europiane, Joseph Daul dhe eurodeputeti Martin Schultz, kryetar i grupit të partive të majta në Parlamentin Evropian, kanë negociuar për gjetjen e një zgjidhje të situatës politike në Shqipëri. Në një komunikatë të përbashkët disa ditë më parë ata nënvizuan se "është përgjegjësia e qeverisë shqiptare bashkë me opozitën që të gjejnë menjëherë, në një mënyrë transparente dhe në përputhje dhe respekt të plotë të Kushtetutës, zgjidhje për ngërçin aktual politik dhe mënyrat e ecjes përpara, që do i kërkohen një vendi në rrugën e tij drejt BE-së". "I kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në parlament dhe të vazhdojë punën. Në të njëjtën kohë presim që qeveria të punojë se bashku me opozitën me qëllimin e realizimit të një reforme të sistemit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme dhe procedurave parlamentare", thuhej në deklaratë./n.m/
KOMENTE