Britania E Madhe, Mbështetëse E Fuqishme E Zhvillimit Të Kosovës Si Shtet I Pavarur
-Kryeministri Thaçi, drekë pune me ministrin britanik për Evropën, David Lidington -
PRISHTINË, 24 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Ministri britanik për Evropën, David Lidington, gjatë një dreke pune me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu mbështetjen e plotë të Qeverisë britanike dhe të Kryeministrit David Cameron për pavarësinë, integritetin territorial dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.
Zyra e shtypit e Qeverisë kosovare bëri të ditur se Ministri britanik për Evropën i dorëzoi Kryeministrit Thaçi një letër nga Kryeministri David Cameron, në të cilën, theksohet se "Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e fuqishme e zhvillimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, i përparuar dhe shumëetnik dhe do të punojë ngushtë në mbështetje të aspiratave të Kosovës për integrimet euroatlantike".
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësimin në institucionet euro-atlantike.
Duke falënderuar ministrin Lidington për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Britanisë së Madhe për Republikën e Kosovës, Kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për perspektivën evropiane, qeverisjen e mirë, zhvillimin ekonomik, luftën pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke mos paragjykuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kryeministri Thaçi u shpreh se për Kosovën do të hapet perspektivë e re për njohje dhe integrim ndërkombëtar.
Kryeministri Thaçi nënvizoi që Kosova po i realizon detyrimet e veta në lidhje me reformat e domosdoshme për integrimin evropian dhe pret që dialogu për liberalizimin e vizave, për marrëdhëniet tregtare dhe dialogu për stabilizim asociim të ecin me shpejtësi gjatë këtij viti. /s.s./