English

Britania Parashikon Shtyrjen E Moshës Së Pensionit Në 66 Vjeç

LONDËR, 24 qershor /ATSH-AFP/ - Qeveria britanike njoftoi sot fillimin e bisedimeve për një reformë "radikale" të sistemit të pensioneve, për të përshpejtuar shtyrjen e moshës së ligjshme të daljes në pension në 66 vjeç dhe për të hequr moshën e daljes në pension automatikisht. Mosha e ligjshme e daljes në pension, SPA, aktualisht 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, do të bëhet 66 vjeç, sipas projektit që do të shqyrtohet. Plani nuk përcakton afate, pasi një datë e saktë duhet të bëhet objekt bisedimesh. Megjithatë, sipas shtypit, mosha e ligjshme mund të bëhet 66 vjeç duke filluar nga viti 2016 ose 10 vjet më parë nga sa parashikonte projekti i qeverisë së mëparshme laburiste. Ish-kryeministri Gordon Brown kishte parashikuar që mosha e ligjshme të shtyhet në 65 vjeç për gratë në vitin 2020, më tej në 68 vjeç për të dy gjinitë në mënyrë graduale, në periudhën 2024-2046. Pritet gjithashtu të fillohen bisedime për mudësinë e heqjes "së shpejti" të moshës së daljes së menjëhershme në pension. Mosha e përcaktuar e daljes në pension "Default Retirement Age", aktualisht e caktuar në 65 vjeç, i bën të mundur një punëdhënësi t'i kërkojë një punonjësi që ai të dalë në pension. Në krahasim me Francën, kjo moshë e daljes së menjëhershme në pension është rritur nga 65 në 70 vjeç. Për sa i përket moshës së ligjshme, një projekt i polemizuar i qeverisë franceze parashikon ta bëjë atë 62 nga 60 deri në vitin 2018. Francezët kanë organizuar një ditë greve dhe manifestimesh kundër kësaj reforme. Njerëzit jetojnë më gjatë dhe gjëja e fundit që ne duam është të humbasim talentet dhe entuziazmin e tyre për shkak të një moshe të përcaktuar arbitrarisht", deklaroi ministri i Punës dhe Pensioneve, Ian Duncan Smith. Jetëgjatësia është aktualisht 77 vjeç për burrat dhe 81 vjeç për gratë në Mbretërinë e Bashkuar. /I.Pu.
KOMENTE